Eksperti i punësimit Arbër Xhihani, në emisionin “Dita Jonë”, ka renditur disa nga arsyet kryesore pse të rinjtë në Shqipëri nuk zgjedhin të aplikojnë përmes zyrave të punës, pavarësisht numrit të lartë të vendeve vakante.
Sipas tij, një nga problemet kryesore është perceptimi i gabuar për zyrat e punës, të cilat shihen më shumë si institucione për ndihma sociale sesa si struktura profesionale për ndërmjetësim punësimi. “Në Shqipëri ende mbizotëron rekrutimi përmes miqve dhe njohjeve, jo përmes databazave profesionale”, u shpreh Xhihani.
Ai theksoi se pagat e ulëta mbeten një arsye frenuese, megjithëse niveli i tyre ka shënuar rritje të ndjeshme dy vitet e fundit. Aktualisht paga mesatare në vend është rreth 84 mijë lekë, por përqendrimi i vendeve të punës në Tiranë e bën këtë pagë të pamjaftueshme për të përballuar kostot e jetesës, shkruan A2 CNN.
Xhihani nënvizoi se profesionet teknike si mekanikë dhe elektricistë paguhen sot mbi 100 mijë lekë bruto, ndërsa paga minimale prej 50 mijë lekësh nuk reflekton realitetin e tregut. Ai shtoi se informaliteti dhe mosdeklarimi i pagave reale vijojnë të jenë problem serioz.
Sipas ekspertit, mungesa e një përllogaritjeje zyrtare të “pagës së jetesës” dhe disbalanca rajonale e pagave po nxisin largimin e të rinjve dhe po detyrojnë bizneset të kërkojnë fuqi punëtore nga jashtë vendit. (A2 Televizion)