Kursehet kohë dhe para, taksat e makinës mund të paguhen "online" në e-Albania

Nga Marjo Brakaj
16 Janar 2026, 15:06 | Ekonomi

Nga shtëpia, në punë, duke udhëtuar... taksat e makinës mund të paguhen tashmë “online” nëpërmjet platformës qeveritare E-Albania.

Kreshnik Bajraktari, Drejtor i Përgjithshëm i DPSHTRR, u shpreh: “Pagesa e taksës së mjeteve realizohet tashmë 100% online përmes platformës e-Albania, duke garantuar akses të plotë në pagesë me çdo kartë bankare, në mënyrë të thjeshtë dhe pa praninë fizike.  Ky shërbim digjital përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të shërbimeve publike dhe lehtësimit të proceseve për qytetarët, duke ofruar një procedurë të shpejtë, të sigurt dhe të aksesueshme nga telefoni apo kompjuteri”.

Detyrimi për taksën vjetore të makinës do të mbahet nga llogaria bankare e individit. Po sa të sigurta janë këto pagesa në drejtim të kërcënimeve kibernetike apo përpjekjeve për vjedhjen e  të dhënave?

“Pagesa nëpërmjet është plotësisht e sigurti. 100 për qind e sigurt. Për këtë ofrojmë garanci. Janë kryer shumë teste për të arritur në përfundimin se ato janë 100 për qind të sigurta. Ky shërbim është rezultat i bashkëpunimit mes DPSHTRR, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe sektorit bankar, me qëllim zgjerimin e shërbimeve digjitale dhe përmirësimin e përvojës së qytetarëve”, theksoi Bajraktari.

Ky shërbim i ri pritet tu kursej qytetarëve kohë, ditë pune, kilometra të përshkruara si dhe mbi 282 milionë lekë. Gjithsesi sportelet ku mund të paguhen taksat e makinës mbeten të hapura, ndërsa planet janë për të kaluar “online” edhe disa shërbime të tjera të cilat aktualisht kryhen fizikisht: “Ankandet për targat e personalizuara do mund të jenë së afërmi në formatin “online”. qytetarët nuk do të kenë nevojë të jenë të pranishëm fizikisht”.

Sipas të dhënave zyrtare mbi 1 milion qytetarë do të kenë mundësi të kryejnë këtë pagesë pa pasur nevojë të paraqiten më në sportele. Përmes e-Albania, qytetarët do të marrin njoftime edhe për skadimin e patentës apo të certifikatës së kontrollit teknik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos