Kryetarët e bashkive që nuk do të zbatojnë projekte në kuadër të “Paketës së Maleve” nuk do të ri-kandidohen për një mandat tjetër. Ishte ky paralajmërimi i kryeministrit Edi Rama në një takim me këta në fundit në Golem, një ditë pas mbledhjes me Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste.
“Është plotësisht e mundshme por ama 1 mijë investime nëse marrim një shifër më modesten të mundshme për secilin nga këto investime, prej 50 mijë eurosh që është shumë e ulët, mendoni ç’i ndodh ekonomisë në tre vjet. Kështu që, fokusoheni dhe merreni shumë seriozisht. Kuptojeni se është një çelësh për të tërhequr njerëz aty ku duket se nuk ka njerëz”, tha Rama, përcjell A2 CNN.
Teksa gishtin tregues të fajit për përmbytjet e drejtoi kryesisht te shiu dhe ndotësit, kryeministri Edi Rama njoftoi ngritjen së shpejti të një Task Foce për ndëshkimin e këtyre të fundit. “Kjo është arsye pse i kam kërkuar ministrit të pushtetit vendor që të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes qeverisë dhe pushteti vendor, përbërë nga përfaqësues kyç të qeverisë dhe disa përfaqësues nga ju për të konceptuar një plan me tre faza; afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, të përbashkët, 360 gradë që nga sensibilizimi deri tek veprimi në shumë dimensione”, shtoi Rama.
Nga Takimi me kryebashkiakët, kryeministri Rama njoftoi gjithashtu ngritjen e një agjencie e cilat do të menaxhojë tokat shtetërore në pronësi të bashkive të cilat do të shfrytëzohen për ndërtimin e godinave për strehim. “Për çdo metër katror toke që është pronë e shtetit, kemi kushtëzuar pjesëmarrjen e investitorit si pronar, për të marrë pjesën që i takon shtetit. I vetmi motiv për të dhënë tokë me kontratë simbolike është sektori i hotelerisë. Së shpejti do të kemi një agjenci ku planifikimi dhe strehimi do të jenë të integruara, e cila do të jetë në dispozicion të pushtetit vendor, së bashku me AIC, nën monitorimin e Ministrisë së Energjisë”, tha Rama.
Ndonëse një prioritet të paktën në letra prej vitit 2014, kryeministri Rama nuk i kurseu rezervat për arsimin profesional duke paralajmëruar ndryshime rrënjësore. “Duhet të krijojmë kushte të shkëlqyera për arsimin profesional. Elektricistët e rinj mësojnë zanatin nga një mjeshtër që vizaton procesin në dërrasa të zeza, por tani ka ardhur koha për standarde më të larta. Konviktet duhet të jenë hotele dinjitoze për të gjithë nxënësit që vijnë nga zona të thella dhe familje me të ardhura të ulëta, ku ata të ndihen të respektuar dhe të mbështetur, duke promovuar formimin profesional dhe respektin shoqëror”.
Më shumë se një dekadë nga nisja e zbatimit të Reformës Administrative-Territoriale, për Edi Ramën autonomia vendore që duhej të realizohej nga pavarësia ekonomike e bashkive nuk është arritur. (A2 Televizion)