“Neni 1, pro, kundër...miratohet. Faleminderit kolegë.”
Ligji i ri për prokurimet publike, pjesë e procedurave të së cilit do të jetë edhe inteligjenca artificiale mori “dritën” jeshile në Komisionin për Ekonominë dhe Financat.
“Jo vetëm që përfarohet tërësisht me direktivat e Bashkimit Europian, 4 shtyllat e prokurimeve, por i përgjigjet sfidave të së ardhmes dhe zgjidh problematikat e kontstatuara vitet e fundit”, tha Jonaid Myzyri, kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik.
Megjithëse kishte ardhur nga partia e tij, socialisti Erion Braçe kërkoi ndryshime në bazën ligjore qe synon të fusë koncepte të reja në fushën e tenderave publikë, duke evidentuar rastin tipik si mund te behet korrupsion.
“Operatori paraqet një ofertë shumë të ulët, duke qenë se tenderi bazohet tek çmimi më i ulët, ai shpallet fitues, por nuk mund të ofrojë shërbimin. Më pas ky operator negocion me kompanitë e tjera pjesëmarrëse duke ju marrë ryshfet për të dalë nga gara. Duhet të s’kualifikohen nga gara ofertat anomalisht të ulëta pa u marrë shpjegime”, tha Erion Braçe.
Propozimet e ardhura nga Braçe gjetën mbështetjen e kryetares së Agjencisë së prokurimet Publik.
“Shkon në linjë me synimet tona, ndaj mendoj se nuk ka asnjë arsye pse të mos përfshihet në ndryshime”, u shpreh Reida Kashta, kryetare e Agjencisë së Prokurimit Publik.
Ligji i ri për Prokurimet Publike parashikon edhe ngritjen e një Organi Qendror Blerës në varësi të Këshillit të Ministrave, që ka të drejtën t’u marrë enteve prokuruese të drejtën e zhvillimit të një gare. Ndryshime ka edhe për afatet e ankimimit dhe skualifikimit të një operatori nga gara. (A2 Televizion)