NAREA kërkon ulje të tatimit për fushatën e rivlerësimi të pronave

Nga Marjo Brakaj
26 Gusht 2025, 15:07 | Ekonomi

Fushata e rivlerësimit të pronave do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Ministria e Financave ka hedhur në Konsultim Publik projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”. Tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes së pronave propozohet të jetë në masën 5 për qind. Por Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë kërkon që norma tatimore të ulet në 3 për qind, shkruan A2 CNN.

“Pse? Sepse vendosja e një tatimi  mbi transaksionet e pasurive të patundshme nuk mund të jetë një lojë kungulleshash Sa? Po sa? Jemi bazuar mbi fushatën e fundit e cila ka funksionuar më së miri, pra 3 përqindshi i aplikuar në periudhën 2020-2022 ka funksionuar më së miri. I ka dhënë gjallëri tregut dhe ka sjellë ofertë për blerësin e parë dhe ka sjellë para për buxhetin e shtetit”, thotë për mikrofonin e A2 CNN Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.

Madje mbi 100 zyra të shitjes së pasurive të patundshme që përfaqësohen në shoqatën “NAREA” i kërkojnë qeverisë që tatimi i shitblerjeve të pronave përtej fushatave mos jetë 15 për qind, por më e ulët. “Tatimi i të ardhurave nga shitja e pasurive të paluajtshme, “tatimi mbi fitimin kapital të realizuar” në masën 15% është provuar tashmë se ka disa efekte negative të drejtpërdrejta, në sektorin e Veprimtarive me Pasuritë e Paluajtshme. Në këtë kontekst, si NAREA ne ndajmë qëndrimin se një barrë fiskale kaq e lartë, prej 15%:  Ngadalëson transaksionet, ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore, nxit informalitetin, duke prodhuar mënyra më të sofistikuara për të shmangur barrën”, thotë Pipiria.

Pavarësisht nëse do të jetë 5 apo 3 për qind, fushata e rivlerësimit që nis më 1 janar 2026 nuk do të ulë çmimet e apartamenteve vlerësojnë aktorë nga tregu i pasurive të paluajtshme. “Edhe nëse tatimi mbi shitblerjet e pronave vendoset 5 apo 3 për qind, fushata e rivlerësimit që nis më 1 janar 2026 nuk do të ndikojë në uljen e çmimeve të apartamenteve. Qëllimi është të përmirësohet transparenca në treg, të rritet aktiviteti, të stimulohet oferta për blerësit e parë dhe të sigurohen të ardhura më të qëndrueshme për buxhetin e shtetit, pa ngadalësuar transaksionet apo krijuar informalitet”, thotë Pipiria.

Në 13 vitet e fundit janë bërë 5 rivlerësime pronash dhe të gjitha kanë ndodhur përpara zgjedhjeve vendore ose të përgjithshme parlamentare, me tarifa që kanë variuar nga 1 për qind në vitin 2011 në 3 për qind dy rivlerësimet e fundit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos