Në rrugën drejt BE, nga përmbyllja e kapitujve te certifikimi i besimit, Shqipëria në test

Nga Marjo Brakaj
2 Gusht 2025, 17:11 | Ekonomi

Para se të trokasë në dyert e Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të jetë gati. Për një “po” në vend të një “jo-je”, vendi duhet fillimisht të integrohet institucionalisht dhe ekonomikisht.

“Vendet e Bashkimit Evropian, për të të pranuar në gjirin e tyre duan që të jenë të qarta që shteti që bëhet pjesë në familjen evropiane nuk është barrë por do të kontriubojë me aftësitë e tyre ekonomike. Pra do të sjellë vlerë dhe jo të jetë barrë”, tha Endrit Yzeiraj, zv/ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Me 5 grupkapituj të hapur dhe një sërë reformash në rrugë, Shqipëria po ecën. Ambicia është që të gjithë kapituj të mbyllen me sukses brenda vitit 2027. Po në cilin drejtim rrezikohet kjo ambicie?

“Nuk ka ndonjë sekret të madh. Siç edhe kryeministri Edi Rama në UBT përmendi, Shqipëria për sa i përket standardeve apo sigurisë ushqimore hera-herës çalon. Por kjo nuk do të thotë se ushqimet që shqiptarët hanë janë të pasigurta, thjesht duhet një certifikim më rigoroz”, u shprej Yzeiraj.

Siguria ushimore nuk është i vetmi “test i radhës” që Shqipëria duhet të kalojë. Vendi duhet të rifitojë besimin e Bashkimit Evropian në drejtim të mirë-administrimit të parave që ky i fundit i jep, shkruan A2 CNN.

"Me gjithë problematikat që shfaqen herë pas here, Shqipëria ka qenë nismëtare dhe një nga shtetet më të angazhuara në realizimin e Planit të Ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Procesi i integrimit është kompleks, dhe natyrshëm ka momente kur ka rishikime apo pezullime të përkohshme fondesh nga Bashkimi Europian. Por këto janë pjesë e një procesi kontrolli dhe nuk përbëjnë ndëshkim. Ne jemi të përkushtuar të përmirësojmë kapacitetet tona dhe të përmbushim çdo standard që kërkon BE", tha zv/ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.

"Ne kemi një aleancë të jashtëzakonshme me Italinë, një partner historik dhe një mbështetës i palëkundur i integrimit europian të Shqipërisë. Po ashtu, Greqia ka treguar vullnet të qartë politik për të parë Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian. Gjermania, natyrisht, mbetet një nga shtyllat kryesore të procesit të zgjerimit dhe një përkrahëse shumë e rëndësishme e rrugëtimit tonë europian", tha Yzeiraj.

Në fund të ditës, integrimi europian nuk është thjesht një proces burokratik apo një listë me kërkesa. Është një sfidë për të ndërtuar Shqipërinë që duam, një vend me institucione të forta, ekonomi dinamike dhe standarde që mbrojnë çdo qytetar. Çdo hap që bëjmë, çdo reformë që zbatojmë, është një gur themeli drejt një të ardhmeje ku dera e Bashkimit Europian nuk do të jetë më një trokitje, por një hapje e sigurt. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos