Në zemër të jugut të Shqipërisë, atje ku deti Jon përqafon malet dhe historia përplaset me dallgët, një zë i ëmbël që flet herë anglisht e herë spanjisht fton turistët të zbulojnë thesaret e fshehura të Himarës. Ajo quhet Almendra, që në spanjisht do të thotë bajame, por historia e saj është çdo gjë përveç së zakonshmes.
“Unë jam nga Peruja dhe jam 25 vjeçe. Prej më shumë se 1 vit kam jetuar në Vienë ku kam dhënë mësime në spanjisht. Isha duke udhëtuar në Ballkan, kisha dëgjuar për Shqipërinë, por nuk dija shumë. Kur mbërrita në jug, në Himarë, diçka më ndaloi… ishte dielli, deti, buzëqeshjet e njerëzve. Ishte hera e parë që ndjeva se një vend i panjohur mund të më bëhej shtëpi”, thotë ajo për A2 CNN.
25 vjeç nga Peruja, Almendra nuk është thjesht një guidë turistike. Ajo është një përkthyese e kulturave, një urë mes dy kontinenteve. E ardhur si vizitore, ajo mbeti si pjesë e peizazhit: me buzëqeshjen e saj që nuk fiket kurrë.
“Shqipëria është si një sekret i bukur që po zbulohet ngadalë. Njerëzit janë të sinqertë, mikpritës, dhe natyra këtu është e egër, por e pastër dhe e vërtetë. Jam e dashuruar me jetën në Himarë – çdo ditë është ndryshe, çdo turist më sjell një histori të re”, thotë ajo.
Në një botë ku gjithçka ndryshon me shpejtësi, Almendra është dëshmi se ndonjëherë… vendet nuk i zgjedhim ne, por ato na zgjedhin ne. Dhe Shqipëria, për këtë vajzë nga Amerika Latine, është bërë më shumë se një destinacion – është kthyer në shtëpi.
“Mendoj të qëndroj edhe ca kohë në Shqipëri. Dua të mësoj më mirë gjuhën, të krijoj ndoshta ture të miat me fokus te kultura dhe ushqimi lokal. Dhe pse jo, një ditë të hap një ‘hostel të vogël’ pranë detit… që të gjithë ta ndiejnë veten si në shtëpi, ashtu siç ndjeva unë kur erdha për herë të parë”, thotë ajo.
Në Himarë, mes zhurmës së valëve dhe gjuhëve të përziera të turistëve, një zë nga Peruja tregon rrugën. Ajo nuk flet për Shqipërinë me librat në dorë, por me përvojën e një njeriu që po e jeton atë ditë pas dite. (A2 Televizion)