Diplomë apo zanat? Mbi 2 500 bursa për të rinjtë që zgjedhin arsimin profesional

Nga Marjo Brakaj
1 Gusht 2025, 13:28 | Ekonomi

Regjistrimet në arsimin profesional për vitin e ri akademik janë hapur. Në një vend ku diploma shpesh mbetet në sirtar, por lavamani kërkon të riparohet sot, arsimi profesional po bëhet rruga më e shkurtër drejt punës.

Është një kthesë që ka nisur ngadalë, por që flet për një Shqipëri që po kupton se puna nuk fillon nga zyra, por nga dija që mund ta prekësh me dorë, shkruan A2.

Klevis Hysa, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Punësimit, thotë për A2: “Mbi 60 për qind e nxënësve të regjistruar në arsimin profesional punësohen në bankat e shkollës, pra në vitin e tretë ose brenda 6 muajve nga përfundimi i studimeve bazuar në të gjitha studimet dhe anketimet që ne bëjmë. Në hoteleri-turizëm ky tregues shkon në 80 për qind”.

Në shkollat profesionale, teoria shoqërohet me praktikë, dhe puna e dorës vlerësohet sa diploma e universitetit. Për më tepër që për ata që zgjedhin “zanatin”, qeveria i shpërblen me të holla.

“Bursat që ne ofrojmë për nxënësit e arsimit profesional janë të karakterit social-ekonomik. Ato synojnë të mbështesin financiarisht të rinjtë që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta, por edhe të nxisin regjistrimet në profile që kanë kërkesë të lartë në tregun e punës. bi 2,500 bursa studimi deri në 7,320 lekë në muaj u janë akorduar të rinjve që ndjekin shkollat profesionale në të gjithë vendin”, deklaroi Hysa.

Si rezultat i këtyre bursave, është regjistruar edhe një rritje e ndjeshme e pjesëmarrjes së vajzave në arsimin profesional, duke thyer stereotipet gjinore dhe duke hapur më shumë mundësi për gratë në tregun e punës.

“Si pasojë e bursave që u jepen të rinjve, vitet e fundit kemi vënë re një ndryshim pozitiv: një rritje të ndjeshme të numrit të vajzave që ndjekin arsimin profesional. Kjo tregon se mbështetja financiare po i jep mundësi më shumë vajzave të zgjedhin këtë rrugë dhe po thyhen stereotipet gjinore në tregun e punës”, u shpreh Hysa.

Përveç mbështetjes financiare, shumë shkolla profesionale kanë filluar të bashkëpunojnë ngushtë me bizneset dhe industritë vendase, duke krijuar programe praktikash dhe mundësi punësimi të drejtpërdrejta për nxënësit: “Ne synojmë që deri në vitin 2030, të paktën 1 në 3 nxënës të arsimit të mesëm të jetë i regjistruar në arsimin profesional. Ky objektiv është pjesë e përpjekjeve tona për të fuqizuar aftësitë e të rinjve dhe për t’i përgatitur ata drejt tregut të punës me njohuritë dhe mjeshtërinë e nevojshme”.

Ky fokus i ri në arsimin profesional jo vetëm që i jep përgjigje kërkesave të tregut të punës, por edhe ndryshon rrënjësisht perceptimet dhe mundësitë për brezin e ri. Me më shumë dijeni praktike dhe mbështetje konkrete, Shqipëria po ndërton themelet për një të ardhme më të qëndrueshme, ku çdo nxënës ka mundësinë të gjejë vendin e vet në tregun e punës dhe të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos