
Siguria ushqimore është testi i radhës që Shqipëria duhet të kalojë... kjo si përpjekje për të fituar besimin e konsumatorëve e njëherazi për të marrë aprovimin e institucioneve të Bashkimit Europian.
“Mbrojtja e konsumatorit përbën një shtyllë thelbësore të funksionimit të një tregu të drejtë dhe të qëndrueshëm. Në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, përafrimi me acquisin e BE-së në fushën e mbrojtjes së konsumatorit dhe sigurisë së produkteve kërkon angazhim të shtuar institucional, koordinim ndërmjet aktorëve dhe zbatim efektiv të legjislacionit. Këto përpjekje janë thelbësore për rritjen e besimit të konsumatorëve”, thotë Andrea Ferrero, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, përcjell A2 CNN.
Konsumatorët shqiptarë kanë nevojë të kenë transparencë më të lartë dhe besim tek produktet që konsumojnë. Kjo në një kohë që nga mandarinat, specat, domatet e pjeshkat e prodhuara në vend rezultojnë me pesticide në pikat kufitare të shteteve të tjera.
“Ne do të duhet të bëjmë shumë për sa u përket kushteve në të cilat operojnë bizneset shqiptare për të arritur që të përmbushin të gjitha ato kritere standarde që sigurojnë që konsumatori shqiptar të ketë produkte të sigurta në tryezat e tyre. Sot që flasim jemi në kuadër të riorganizimit të institucionit për të arritur për të pasur një menaxhimin sa më të mirë të gjithë zinxhirit, nga ferma në tryezë”, tha Blerina Gjylameti, drejtoreshë e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Forcimi i sistemit kombëtar të kontrollit agro-ushqimor vlerësohet si një përgjegjësi e përbashkët që përfshin palë të ndryshme të interesit, duke përfshirë organet qeveritare, industrinë ushqimore dhe konsumatorët.
“Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit janë një gur themeli për tregu e përbashkët europian ndaj neve na takon që të garantojmë sigurinë ushqimore për të gjitha kategoritë e produkteve”, tha Enkelejd Musabelliu, Zv.Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit.
Ndërgjegjësimi dhe informimi mbeten dy hallka të tjera drejt të cilave duhet lëvizur më shpejt. “Nga studimi ynë rezulton se ndërgjegjësimi i të rinjve për sigurinë ushqimore është i përgjithshëm. Ata kanë njohuri për këtë çështje, por shpesh ajo kufizohet te leximi i etiketave ose te informacionet që mund të gjejnë online”, tha Rudina Lula, Drejtor Ekzekutiv, Qendra për Ekselencë Destiny.
Shqipëria mori një notë “jo kaluese” në raportin e fundit të progresit nga Bashkimi Evropian në kapitullin 12, “Siguria ushqimore, politika veterinare dhe fitosanitare. (A2 Televizion)