“Ngrihen si raketë, ulen si pupël”, abuzimi me çmimet e karburanteve i provuar, por pa ndëshkime

Nga Marjo Brakaj
12 Mars 2026, 18:27 | Ekonomi

“Rriten si raketë, ulen si pupël”... fenomeni i mos-ndjekjes në mënyrë të drejtë të çmimeve të karburanteve në bursë për t’i reflektuar më pas në tregun vendas është një fenomen i vjetër për Shqipërinë. Për herë të parë kjo formë abuzimi u provua nga Autoriteti i Konkurrencës 4 vite më parë, pas një hetimi në tregun e karburanteve për periudhën tetor 2021–shkurt 2022.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës: Në fillim të vitit 2022, rritja e çmimit të karburanteve – naftë dhe benzinë – në bursat ndërkombëtare ka pasur një reflektim të shpejtë si raketë, dhe reflektim më të ngadaltë të rënies si pupël, tek çmimi përfundimtar i shitjes për konsumatorin në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ky fenomen nuk u arrit dot të zhbëhej as me ngritjen e të ashtuquajturit Bord i Transparencës për karburantet. Autoriteti i Konkurrencës shton: Çmimet e rekomanduara mund të ndihmojnë koordinimin e çmimeve midis konkurrentëve si pasojë e transparencës, por krijojnë një mungesë të konkurrencës efektive. Ato mund të çorientojnë konsumatorët rreth nivelit të arsyeshëm të çmimit.

Kjo problematikë që po përsëritet edhe këtë vit, për ekspertët, i ka rrënjët te përqendrimi i lartë i tregut të karburanteve në pak duar. Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë, thotë: Kemi një dominancë të kësaj natyre me operatorë të njëjtë apo të ngjashëm në historinë e të paktën 15 viteve të fundit, ku tregu është dominuar nga 2–3 aktorë. Autoriteti i Konkurrencës ka kryer hetime dhe dhënë rekomandime, por ato nuk janë zbatuar.

Por, megjithëse provohet se në tregun vendas të karburanteve ka spekulim, asnjë masë nuk merret, ndërsa çmimet vetëm rriten. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos