Dy vite nga dhënia e “dritës jeshile” në Parlament, bastet sportive ende nuk janë hapur. Me policinë që, nga njëra anë, thuajse çdo ditë njofton për arrestime të atyre që provojnë fatin dhe për aktivitetin që vijon në paligjshmëri, në këtë situatë të gjithë po humbin. Shteti nuk po arkëton atë që i takon, ndërsa ata që luajnë janë tërësisht të pambrojtur. Kjo për shkak se Ministria e Financave nuk ka plotësuar ende aktet nënligjore të nevojshme.
“Ministria e Financave është duke punuar me aktet nënligjore për bastet. Është edhe një akt i cili është miratuar sot në mbledhjen e qeverisë dhe shumë shpejt do të dalin të gjitha aktet e nevojshme në mënyrë që të mundësojmë edhe bastet online.”, tha Malaj.
Pesë vite nga “Fundi i Marrëzisë”, nisma e qeverisë që uli qepenat e mbi 2 mijë pikave të basteve në të gjithë vendin, dhe pas më shumë se një viti diskutimesh, Parlamenti i dha “dritën jeshile”, në shkurtin e vitit të shkuar, aktit final për rikthimin e basteve sportive.
Nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit konfirmohet se deri më tani nuk ka ende asnjë kompani të licencuar për ushtrimin e kësaj veprimtarie, ndërsa Ministria e Financave ende nuk ka plotësuar të gjitha aktet nënligjore.
“Sepse kërkohet punë. Është marrë ekspertizë ndërkombëtare në mënyrë që kuadri ligjor për bastet sportive të jetë sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.”, tha Malaj.
Me ndryshimet e miratuara ligjore, për të luajtur baste sportive “online”, qytetarët do të duhet të regjistrohen me anë të kartës së tyre të identitetit në faqet web ose aplikacionet e licencuara për ushtrimin e kësaj veprimtarie.
Gjithashtu do të krijohet një regjistër elektronik që do të ndalojë të luajnë ata që kanë varësi apo probleme të tjera me lojërat e fatit. E në një kohë që bastet sportive, tashmë vetëm “online”, pritet të bëhen të ligjshme, numri i lojtarëve të varur nga lojërat e fatit po zgjerohet. (A2 Televizion)