Nga Karakas në Tiranë, si lidhen tregjet globale me ekonominë shqiptare?

Nga Marjo Brakaj
5 Janar 2026, 19:51 | Ekonomi

Në një distancë gjeografike rreth 9 mijë kilometër dhe pak ndonjë lidhje historike apo tregtare të fortë, zhvillimet në Venezuelë nuk do përbënin ndonjë interes në Shqipëri në kushte të tjera.

Por, sot bota është më e lidhur se kurrë. Diçka që ndodh larg, përcillet shpejt në tregje... në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi.

Maksim Caslli, ekspert i tregjeve të investimeve, shprehet për A2CNN: “Edhe pse Shqipëria dhe Venezuela ndodhen në anë të kundërt të globit dhe nuk kanë marrëdhënie tregtare të mëdha, zhvillimet atje nuk janë më aq larg nga ne. Sot, tregjet janë të lidhura globalisht, dhe çdo ndryshim, qoftë politik apo ekonomik, mund të ketë efekt të ndjeshëm, direkt ose tërthorazi, tek ekonomia shqiptare”.

Shqipëria shkëmben pak mallra me Venezuelën. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se deri në nëntor importet nga shteti në Amerikën e Jugut ishin në vlerën e më pak se 38 mijë eurove. Disi më lart janë eksportet, vlera e të cilave përllogaritet në pak më shumë se 255 mijë dollarë.

“Varësia e vendit tone nga importet e huaja e bën Shqipërinë më të ekspozuar ndaj çfarëdo lëvizjeje në arenën ndërkombëtare. Për të shmangur efektet negative të këtyre tronditjeve është e domosdoshme të forcohet prodhimi dhe oferta vendase, që të ketë më shumë stabilitet dhe mbrojtje ndaj rreziqeve të jashtme”, tha Caslli.

Megjithatë, fakti që Shqipëria është ndër vendet me varësinë më të lartë nga importi e bën atë të ekspozuar ndaj zhvillimeve gjeopolitike. Që efektet mos të ndihen të forta, ekspertët vlerësojnë se duhet forcuar ekonomia vendase.

“Analistët e tregjeve vlerësojnë se arrestimi apo deportimi i presidentit venezuelan nuk pritet të ndikojë ndjeshëm çmimet globale të naftës. Edhe pse situata politike mund të shkaktojë shqetësim në media, tregu i naftës ka treguar qëndrueshmëri, dhe çmimet mbeten relativisht të njëjta, duke luhatur vetëm pak në raport me fuçinë”, shprehet Caslli.

Analistë të tregjeve vlerësojnë se arrestimi dhe deportimi i presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pritet të ndikojë fortë në tregje në përgjithësi dhe as te ai i naftës në veçanti. Çmimi i naftës së papërpunuar ka mbetur thuajse në të njëjtat shifra, në rreth 57 dollarë për fuçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos