Kujtim Cakrani, avokati dhe mbrojtësi ligjor i ish-presidentit Ilir Meta është dhunuar në ambientet e një karburanti në qytetin e Vlorës. Nga spitali i qytetet bregdetar nën kujdesin e mjekëve, avokati Cakrani rrëfen se dy persona të panjohur për të e kanë provokuar e më pas sulmuar në momentin që ai po furnizohej me karburant.
“Më kanë dhunuar dy të rinj që nuk i njihja dhe s’e kamë idenë përse, sepse më provokuan dhe më pas më goditën. Kaq është. Nuk mund të them më shumë, sepse nuk e di çfarë ka ndodhur. Ndodhi para një ore e pak në hyrje të qytetit. Po hyja në një pikë karburanti, kaluan aty, pasi më provokuan, dolën nga makina, dikush erdhi nga pas më goditi me mjet prerës, nuk e di me çfarë. Ndodhi në mënyrë të menjëhershme”, tha Kujtim Cakrani, avokat, shkruan A2 CNN.
Policia e Vlorës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me dhunimin e Avokatit Kujtim Cakrani, duke zbardhur të tjera detaje nga ngjarja e ndodhur në një pikë karburanti të qytetit bregdetar. Sipas “bluve” dyshohet se konflikti ka nisur në lidhje me mënyrën si ishte pozicionuar makina në karburant, ku pretendohej se kishte bllokuar mjete të tjera. Mandej konflikti verbal është përshkallëzuar, ku dy të rinjtë e kanë goditur avokatin fizikisht, duke i shkaktuar plagë në trup.
“Jo nuk i njihja. Ishin dy djem të rinj, mosha 25-30 diçka e tillë. Kam 4-5 dëmtime në pjesën e pasme të kokës. Isha i papërgatitur sepse nuk është se kam konflikt me njeri. S’jam mirë, kam dhimbje koke”
Burime nga Spitali Rajonal Vlorë bëjnë me dije se Cakrani ka dëmtime në kokë dhe po qëndron në reanimacion. Policia ndërkohë thotë se ka identifikuar automjetin me të cilin janë larguar dy agresorët. (A2 Televizion)