Banka Botërore e sheh me skepticizëm nismën e qeverisë për të bërë me detyrim sigurimin nga tërmetet dhe përmbytjet. Institucioni më i lartë monetar në botë ngre shqetësime mbi mënyrën se si parashikohet të ndërtohet dhe të funksionojë Fondi që do të administrojë këtë skemë.
“Projektligji propozon krijimin e Fondit si një shoqëri aksionare në pronësi shtetërore e përfaqësuar nga Ministria e Financave. Ne kemi ndarë më parë shqetësimet tona me Ministrinë mbi një model të tillë. Ne rekomandojmë strukturën e një Fondi të menaxhuar nga një operator teknik profesional, në vend të një Shoqërie Aksionare dhe dëshirojmë t’ju drejtojmë drejt modelit të Pool-it të Sigurimit të Detyrueshëm nga Tërmeti në Turqi.”
Banka Botërore thekson se i ka ndarë më herët shqetësimet e saj me Ministrinë e Financave dhe rekomandon që Fondi të mos funksionojë si shoqëri aksionare, por të menaxhohet nga një operator teknik profesional.
“СІР është një institucion publik uniki krijuar me një ligj të dedikuar për të ofruar sigurim nga tërmeti në zonat e banuara në Turqi. Ai nuk është as një shoqëri aksionare, as një ent publik tipik, dhe është i përjashtuar nga rregulloret standarde që rregullojnë ndërmarrjet shtetërore, menaxhimin financiar publik, auditimin dhe prokurimin. Në vend të tyre, ajo funksionon sipas kuadrit të vet ligjor dhe të prokurimit.
Institucioni ndërkombëtar thekson se zgjedhja e strukturës ligjore është kritike për të siguruar që Fondi të jetë i pavarur, i besueshëm dhe efikas.
“Zgjedhja e strukturës ligjore është kritike për të siguruar që Fondi të jetë i pavarur, i besueshëm dhe efikas, me rregulla të qarta për llogaridhënie publike por me fleksibilitet operacional. Mbikëqyrja ministrore idealisht duhet të fokusohet në objektivat strategjike dhe jo në menaxhimin e përditshëm. Siç është projektuar aktualisht, struktura e propozuar mund të bëhet burokratike, me disa shtresa administrative, dhe shumë e varur nga drejtimi qeveritar, gjë që mund të kufizojë kapacitetin profesional dhe pavarësinë operacionale të Fondit.”
Banka Botërore paralajmëron se pa një strukturë të pavarur dhe profesionale, Fondi rrezikon të humbasë besueshmërinë dhe të mos funksionojë si duhet në rast emergjencash. (A2 Televizion)