Agrobiznesi është i përjashtuar nga TVSH-ja për importin e makinerive dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre, pavarësisht nga vlera e investimit.
Për të përfituar përjashtim nga TVSH-ja në importin e makinerive dhe pajisjeve, subjektet agro-përpunuese duhet të aplikojnë përmes e-Albanias.
Portali i qeverisë e-Albania ndau në rrjete sociale hapat që ndiqen duke aplikuar në zgjedhjen e shërbimit “Makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit”, shkruan A2 CNN.
Më pas duhet të plotësohet formulari dhe të ngarkohen dokumentet e kërkuara. Kopje e planit të investimit dhe preventivi.
Nëse aplikimi i plotëson kushtet mundësohet hedhja e autorizimit në sistem.
Autorizimi “Makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit” është një autorizim që i jepet operatorit ekonomik i cili vepron në fushën e agrobiznesit. Me anë të këtij autorizimi operatori përfiton nga përjashtimi i pagesës së TVSH-së në momentin e importimit. Makineritë dhe pajisjet që përfitojnë nga ky përjashtim janë të listuara në Aneksin e bazës ligjore të mëposhtme, raporton A2 CNN.
E- Albania publikoi linkun ku aplikohet teksa njoftoi se, koha për marrjen e shërbimit është 15 ditë dhe dokumenti mbërrin elektronikisht tek rubrika “Dokumentet e mia” dhe në email. (A2 Televizion)