Nga përcaktimi i minimumit jetik në vlerën e 200 eurove te rritja pensioneve te shtimi i fondeve për arsimin, shëndetësinë, bashkë me rritjen e pagave për punonjësit e policisë apo mësuesit, Partia Demokratike ka propozuar dhjetëra amendamente, propozime ligjore për ndryshime në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka mbetur besnik nismës së vjetër për përcaktimin e minimumit jetik të cilin të djathtët e kishin edhe pjesë të rëndësishme të programit ekonomik për zgjedhjet e 11 majit. Ndërkohë deputet e tjerë demokratë propozojnë që buxheti për arsimin dhe shëndetësinë të rritet në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa subvencioneve në bujqësi dhe prodhimit vendas t’i shtohen 170 milionë euro.
Demokratët kërkojnë ndërkohë që nga buxheti i vitit të ardhshëm, barnave të ri t’i shtohen 60 milionë euro, ndërsa pagat e administratës të rriten me 10 për qind. Të djathtët propozojnë që pagat në arsim e shëndetësi të rriten me 20 për qind, ndërsa kërkimit shkencor dhe bashkive t’u shtohen respektivisht 20 dhe 130 milionë euro.
Partia e Lirisë ka propozuar 12 amendime ligjore. Në fokus të amendamenteve janë rritja reale e pensioneve, mbështetja për bujqësinë, sektorin e shëndetësisë, arsimin, shkencën, sportin dhe sigurinë ushqimore. Konkretisht,
Partia e Lirisë propozon, së pari, “alokimin e një fondi prej 16,2 miliardë lekë për rritjen e pensioneve, në mënyrë që pensionistët vitin e ardhshëm të mos përfitojnë vetëm 60 lekë në ditë në qytet apo 20 lekë në ditë në fshat, por një rritje reale dhe të ndjeshme të pensioneve”.
Nga socialistët, i vetmi që ka propozuar ndryshime ligjore është Erion Braçe, me dy amendamente.
(A2 Televizion)