Punonjësit e Kontrollit të Larë të Shtetit po pengohen nga institucionet për të kryer auditimet! Shqetësimin e ngriti kreu i KLSH, Arben Shehu në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare dhe atij të Ekonomisë, Punësimit dhe Financave.
“Kemi auditime të cilat nuk kanë mundur të ecin në rrjedhën e duhur, në ritmin e duhur për shkak jo tonit po mosdhënies së aksesit nga institucionet. Veçanërisht kur kërkohet aksesi në sisteme. Sepse një pjesë e veprimeve në disa institucioneve kryhen në sistem. Mosdhënia e aksesit çon në pamundësi të kryerjes së auditimit”, u shpreh kreu i KLSH-së.
Ndërkohë, Shehu adresoi edhe ankesa të punonjësve dhe ish-punonjësve të të KLSH-së se ishin gjendur para pamundësisë për të audituar punën e Kryeministrit, dhe iu referua një letër-ankese të dorëzuar në komision, ku kërkohej sipas tij, “suporti i Kuvendit për KLSH-në që të kishte mundësinë të auditonte punën e kryeministrit”. Kreu i KLSH pati një thirrje edhe për titullarët e institucioneve ndër më kryesoret në vend.
“Pas shëndetësisë, hidrokarbureve që janë tepër të rëndësishme... vjen prona publike. Është shumë e rëndësishme për t’u theksuar se titullarët e institucioneve duhet të jenë të ndërgjegjshëm nga ana njerëzore dhe të përgjegjshëm konform ligjit”, deklaroi Shehu.
Në komision u diskutua edhe çështja “Bankers Petroleum”.
“Kompania e Bankers Petroleum i ka detyrime kompanisë Albpetrol 16 milion euro për zërin energji elektrike e pashlyer. Qëndron ky konstatim që ju keni bërë në raportin e auditimit për kompaninë Albpetrol apo jo?”, u shpreh deputeti Braçe.
Përgjigja e Shehut ishte pa shumë argumente.
“Është ekzakt ai që ju thatë i qëndrojmë në mënyrë të plotë konstatimit tuaj dhe ne kemi kryer ë veprimet e detyrueshme jo të nevojshme në raport me ligjin”, theksoi Shehu.
Keqmenaxhim i të ardhurave, shpenzime jo efektive, mungesë regjistrimi të pasurive të paluajtshme, rrezik për tjetërsim pronash, largime të padrejta nga puna mos-monitorim i koncesioneve dhe probleme në konkurrencën nëpër tendera. Këto janë disa nga problematikat e identifikuara gjatë 159 auditimeve të kryera gjatë vitit të kaluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që janë shoqëruar me masa, e deri 13 kallëzime penale. (A2 Televizion)
