Skemat mashtruese në internet po vijojnë të zhvatin shqiptarët. Pavarësisht reagimeve nga Policia e Shtetit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe ai për Mbikëqyrjen Financiare pas shqetësimit të ngritur nga deputet socialist Erion Braçe...“firmat piramidale” vijojnë aktivitetin në rrjetin social Telegram, shkruan A2 CNN Nga “TEXE apo “GROKREXDUU”... platformat kanë ndryshuar emër... ndërsa “XUEXA” vijon me të njëjtin identitet.
“Skemat mashtruese online janë shumë fleksibile. Ata ndryshojnë emra dhe platforma për të shpëtuar nga kontrollet, por mënyra e veprimit mbetet e njëjtë: të tërheqin viktimat me premtime fitimesh të shpejta dhe pastaj t’i zhvatin nga paratë. Pavarësisht reagimeve të Policisë, Autoritetit Kibernetik dhe Mbikëqyrjes Financiare, aktiviteti i tyre nuk ndalet, sidomos në rrjetet sociale si Telegram”, shpjegon për A2 CNN Erjon Demiri, ekspert IT.
Po cila është zgjidhja dhe çfarë efekti ka prodhuar rrjedhja e të dhënave personale të shqiptarëve? “Fatkeqësisht, nuk ka një zgjidhje të menjëhershme për skemat mashtruese online. Ajo që mund të bëjmë është vetëm të edukojmë qytetarët, duke i mësuar si të identifikojnë rreziqet dhe si të mbrojnë të dhënat e tyre personale. Rrjedhja e të dhënave personale i bën shqiptarët më të ndjeshëm ndaj mashtrimeve, dhe për sa kohë informacioni qarkullon lirshëm në internet, individë dhe grupe kriminale mund të shfrytëzojnë këtë situatë për t’i mashtruar viktimat. Ndaj ndërgjegjësimi dhe edukimi digjital janë mjetet e vetme për të zvogëluar rrezikun dhe për të parandaluar humbjet financiare”, thotë Demiri.
Skemat mashtruese online vlerësohet se i kanë zhvatur qytetarëve shqiptarë rreth 5 milionë euro, përmes premtimit për fitime të majme duke investuar. Dyshime ka se pas tyre, veç grupeve kriminale të huaja fshihen edhe shtetas shqiptarë.
“Dyshimet përfshirjes së shtetasve shqiptarë lindin nga mënyra se si disa platforma operojnë brenda vendit, duke përdorur rrjete lokale për regjistrime dhe pagesa. Kjo tregon se pas skemave nuk qëndrojnë vetëm grupet kriminale të huaja, por edhe individë shqiptarë që përfitojnë nga mashtrimet online”, tregon Demiri.
Qindra qytetarë shqiptarë kanë rënën pre skemave të reja piramidale, ku u propozohet të blejnë kriptomonedha që nuk ekziston ose u kërkohet që të investojnë para me pretendimin se brenda 45 ditësh ato do të marrin 2-fishin e parave të hedhura. (A2 Televizion)