Vlerësimi i Bankës së Shqipërisë, pa dërgesat e emigrantëve do kishim më shumë varfëri

Nga Marjo Brakaj
2 Shtator 2025, 15:31 | Ekonomi

Varfëria në Shqipëri do të ishte edhe më e thellë nëse nuk do të ishin emigrantët. Paratë që ata iu dërgojnë familjeve në atdhe janë shpesh burimi i vetëm i të ardhurave për këto të fundit, vlerëson Banka e Shqipërisë.

Vlerësimet bazuar në efektin mesatar të trajtimit për familjet e trajtuara dhe efektin mesatar të trajtimit tregojnë se remitancat ndikojnë pozitivisht në të ardhurat dhe ndihmojnë në uljen e përqindjes së popullatës që jeton nën kufirin e varfërisë. Këto gjetje nënvizojnë rolin e rëndësishëm që remitancat kanë në mirëqenien ekonomike të familjeve shqiptare.

Banka e Shqipërisë

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, dy qarqet më të varfra të vendit, Kukësi dhe Dibra, janë edhe ato që kanë varësinë më të lartë nga remitancat. Njëkohësisht, në rang vendi, 26 për qind e familjeve shqiptare që marrin para nga jashtë kanë më pak të ardhura në dispozicion se sa pjesa tjetër.

“Nëse po prapë do t’iu referohemi shifrave të INSTAT, atëherë do të kuptojmë se paratë nga remitancat shkojnë për të plotësuar nevojat bazike dhe jo për argëtim apo luks”, thotë për A2 CNN Eris Dhamo, pedagoge, sociologe.

Vlerësimi i Bankës së Shqipërisë, pa dërgesat e

Emigrantët shqiptarë iu dërguan familjeve të tyre 250 milionë euro në tre muajt e parë të vitit. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, remitancat u zgjeruan me 8.8 milionë euro apo 3.6 për qind. “Kemi një inflacion ende prezent në vend, gjë që sjell kërkesë mbi ekzistencën dhe varësinë e grupeve vulnerabël ndaj remitancave”, thotë Dhamo.

Nevojën për më shumë para si pasojë e shtrenjtimit të jetesës e pohojnë edhe vetë qytetarët që presin remitanca. “Tani që janë rritur çmimet, jemi të detyruar që t’u kërkojmë fëmijëve më shumë para. Unë kam vëllezërit që më ndihmojnë, se përndryshe…”, thonë disa prej tyre për mikrofonin e A2 CNN.

Me gjithë shifrat e rritura, për shkak të zhvlerësimit të euros, familjet shqiptare kanë pasur më pak lekë në duar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos