Shqipëria ka bërë gati draft-marrëveshjen dhe grupin negoicator për njohjen e pensioneve me Greqinë.
“Jemi në pritje të vullnetit veçanërisht politik nga pala greke për të iniciuar zyrtarisht marrëveshjen”, tha Olta Manjani, zëvendësministre e MEKI.
Dy deri në tre vite në skenarin optimist dhe mbi pesë vite në rast se do të ketë zvarritje të procesit. Kaq kohë do i duhen Shqipërisë e Greqisë për të bërë të mundur njohjen e pensioneve për qytetarët e dy vendeve.
“Duhet të kemi parasysh që këto marrëveshje shoqërohen me koston përkatëse financiare, por ato hapin një mundësi të rëndësishme për qytetarët e të dy vendeve që të sigurojnë të drejtat e tyre pensionale. Përveç aspektit financiar, është thelbësor koordinimi i ngushtë mes dy palëve dhe përkushtimi politik, pasi çdo vonesë mund të zgjasë procesin mbi pesë vite. Ne besojmë se, me vullnet dhe bashkëpunim të përbashkët, njohja e pensioneve do të realizohet në kohën më të shkurtër të mundshme.”
Shqipëria ka aktualisht marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës me Turqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Kanadanë, Bullgarinë, Kosovën, Zvicrën, Kroacinë, Italinë dhe së fundmi me Serbinë.
“Me konkludimin e të gjithë marrëveshjeve që ne kemi në proces, ky numër do të shkojë në 21. Dhe unë e theksova që përpos vendeve të BE po përpiqemi të kemi marrëveshje edhe me ato shtete me të cilat kemi shkëmbime të shpeshta tregtare.”
Ndërkohë veç Greqisë, përpjekje për negociata ka edhe me Holandën, Poloninë, Finlandën, Moldavinë, Slloveninë, Australinë, Norvegjinë apo Suedinë. (A2 Televizion)