Dhoma Amerikane e Tregtisë ka rikthyer kritikat ndaj projektligjit për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet, duke kërkuar rishikim nga qeveria. Sipas saj, drafti cenon proporcionalitetin për shtresat vulnerabël dhe ngre dyshime mbi pavarësinë e Fondit të Tërmeteve. AMCHAM kërkon më shumë transparencë, rregulla të qarta për konfliktin e interesit dhe mbrojtje për kategoritë e pambrojtura.
Me argumente të ngjashëm, duke përsëritur thuajse të njëjtat kritika si dy vite më parë... Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkon nga qeveria të ri-shohë edhe projektligjin e ri për “Sigurimin e detyrueshëm i banesave nga tërmetet” të ri-hedhur në konsultim publik muajin e shkuar nga Ministria e Financave.
“Projektligji e lidh sigurimin e detyrueshëm me aksesin në shërbime të. Edhe pse ky është një stimul i fortë për respektimin e ligjit, refuzimi i shërbimeve bazë për personat që nuk janë në përputhje mund të cenojë parimin e proporcionalitetit, veçanërisht për shtresat vulnerabël. Nevojitet parashikimi i përjashtimeve ose lehtësive për kategori të caktuara të popullsisë”, shprehet AMCHAM.
Sipas draftit të ri ligjor, sigurimi i detyrueshëm i banesave nga tërmetet do të ofrohet nga vetë shteti, por kjo sipas Dhomës nuk i jep zgjidhje problemeve.
“Krijimi i Fondit për Tërmetet si shoqëri aksionare publike është një qasje pozitive, por ligji i jep Ministrisë së Financave kompetenca të gjera mbi emërimet dhe mbikëqyrjen, duke ngritur dyshime mbi pavarësinë e vërtetë të Fondit. Kriteret për anëtarët e bordit janë të përcaktuara, por do të ishte e nevojshme të shtohen dispozita më të detajuara mbi konfliktin e interesit, transparencën, publikimin e raporteve dhe auditimeve periodike”, deklaron AMCHAM.
Detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit nga tërmetet e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre.
“Projektligji trajton sigurimin e detyrueshëm dhe atë vullnetar, por koordinimi mes tyre dhe renditja e pagesave nuk është i detajuar. Për të shmangur mbivendosje dhe kontestime, nevojiten rregulla të qarta mbi trajtimin e pretendimeve dhe të drejtën e subrogimit”, thuhet në deklaratën e AMCHAM.
Shqipëria është goditur nga dymbëdhjetë tërmete me magnitudë mbi 6 që nga viti 1900, por duket se vetëm tërmeti i 26 nëntorit 2019 në Durrës mbart një vlerësim konkret të dëmeve të pësuara. (A2 Televizion)