Tkurrja dhe plakja e popullsisë rrezikojnë ecurinë ekonomike të Shqipërisë. Shqetësimin e ngriti sërish guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko gjatë prezantimit të raportit të tranzicionit për Shqipërinë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Plakja e popullsisë dhe emigracioni janë identifikuar herët në kohë, si sfida përcaktuese për të ardhmen ekonomike të Shqipërisë. Vendi ynë pasqyron shumë nga tendencat e përshkruara në këtë Raport të radhës: plakjen e shpejtë të popullsisë, të kombinuar me largim të konsiderueshëm të të rinjve dhe të popullsisë në moshë pune.
Sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara, këto dinamika pritet të vazhdojnë dhe të intensifikohen në vitet në vijim, duke çuar në përmbysjen e piramidës demografike.
Mosha mesatare e popullsisë vendase ka arritur në thuajse 43 vjeç dhe kjo për Bankën e Shqipërisë përbën shqetësim sepse këto prirje kanë pasoja negative në tregun e punës, pagat dhe dinamikat e inflacionit.
“Emigracioni, dikur i konsideruar si faktor lehtësues për papunësinë dhe varfërinë, po shfaqet gjithnjë e më shumë si një sfidë strukturore. Rritja ekonomike e qëndrueshme, nivelet historikisht të ulëta të papunësisë dhe mungesat e fuqisë punëtore në sektorë kyç, i kanë bërë më të dukshme pasojat afatgjata të ndryshimeve demografike si për bizneset, ashtu edhe për familjet. Plakja e popullsisë ndikon si në kërkesën, ashtu edhe në ofertën agregate: ajo ndryshon modelet e konsumit, dobëson inovacionin dhe produktivitetin, rrit kostot e prodhimit dhe, në fund, ndikon në çmimet, investimet dhe kapacitetin prodhues, duke përbërë kërcënim për qëndrueshmërinë afatgjatë të rritjes ekonomike”, tha Sejko.
Gjatë prezantimit të Raportit të Tranzicionit, Drejtoresha e BERZH për Shqipërinë, Ekaterina Solovova, listoi disa nga investimet kryesore të realizuara gjatë vitit të kaluar.
“Ne ofruam 217 milionë euro financim për 31 projekte, nivel ky rekord angazhimi i joni. Nga totali, 111 milionë u dhanë për projektet e infrastrukturës së qëndrueshme në sektorët e transportit dhe energjisë, përfshirë 30 milionë për rehabilitimin e Korridorit 8 hekurudhor, faza e parë Durrës-Rrogozhinë, të bashkëfinancuar me Bankën Evropiane të Investimeve dhe të plotësuar me 60 milionë euro grante. Në sektorin e energjisë ofruam 45.75 milionë euro për OSHEE, ristrukturimin e borxhit afatshkurtër dhe mbështetjen e modernizmit të rrjetit dhe investimeve të gjelbra, si dhe 30 milionë euro për KESH-in për zhvillimin e centralit diellor fotovoltaik prej 50 megavat”, tha Ekaterina Solovova, Drejtoresha e BERZH për Shqipërinë.
Gjatë prezantimit të raportit të tranzicionit, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim analizoi se plakja e popullsisë mund t’i heqë rreth 0.6 pikë përqindje rritjes vjetore ekonomike, pra nga 4 në 3.6 për qind. (A2 Televizion)