“Po ju grabisin”, Erion Braçe ngre alarmin: Shqiptarët po mashtrohen online

Nga Marjo Brakaj
27 Gusht 2025, 15:06 | Ekonomi

Ndryshe nga 3 dekada më parë, në vitin e mbrapsht 1997... sot shqiptarët po mashtrohen nga “firmat piramidale në internet”. Ato që joshin për të investuar në kriptomonedha duke premtuar fitime të majme. Shqetësimin kësaj here e ka ngritur deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe.

Piramidat e reja: tani janë online, në çdo telefon! Po ju grabisin! Kjo – TEXE më e madhja! Kam dy muaj që merrem me këtë. Sot, kur skema mund të ketë përfshirë mbi 1000 persona vetëm në Divjakë brenda dhe po hyn në Lushnjë, dua ta përsëris apelin publikisht – jo më individualisht. Dilni sa më shpejt nga kjo piramidë dhe denonconi në policinë e shtetit – dorëzoni atje telefonin tuaj që hetuesit të kenë mundësi të ndjekin përgjegjësit përmes rrjedhës së parave.

Erion Braçe

“Mashtrimi”, me gjithë format apo mënyrat i ka rrënjët aq të thella aq sa vetë njerëzimi. Ndër vite, duke iu përshtatur ndryshimeve sociale, ekonomike e politike, ai ka pësuar “mutacione”, por efekti për të infektuar individë në veçanti e shoqëri në përgjithësi ka mbetur i njëjtë. Po çfarë janë skemat e sotme të mashtrimit në internet duke investuar në monedhat digjitale?

“Skemat piramidale që po shohim sot në internet nuk kanë asnjë lidhje me investimet reale apo kriptomonedhat legjitime. Ato funksionojnë duke tërhequr individë të panjohur me premtimin e fitimeve të shpejta dhe të larta, por në realitet, paratë që investohen nuk gjenerohen nga ndonjë biznes apo aktivitet ekonomik. Fitimet e hershme zakonisht paguhen nga paratë e pjesëmarrësve të rinj, dhe kjo e bën skemën të qëndrueshme vetëm për një kohë të shkurtër”, thotë për A2 CNN Shahin Dokuzi, njohës i tregut të monedhave virtuale.

Joshja për të fituar sa më shumë e më shpejt është “mikrob” që me sa duket, gjendet në mendjen e çdo njeriu dhe mekanizmave të funksionimit të çdo shoqërie. Dhe “mashtruesit” modernë kanë gjetur edhe “oazën” perfektë për pazare... platformën “Telegram”.

“Në Telegram nuk ka kontroll të rreptë, dhe kjo e bën platformën një mjedis të përshtatshëm për mashtruesit modernë. Skemat funksionojnë duke tërhequr individë të panjohur me premtimin e fitimeve të shpejta dhe të larta, por në realitet, paratë nuk gjenerohen nga ndonjë aktivitet ekonomik real. Fitimet e hershme zakonisht paguhen nga paratë e pjesëmarrësve të rinj, dhe kjo e bën skemën të qëndrueshme vetëm për një kohë të shkurtër”, thotë Dokuzi.

Pyetja që shtrohet është: Si të ruhemi? “Së pari, mos investoni para që nuk mund t’i humbisni. Kontrolloni gjithmonë burimin e investimit dhe mos u besoni premtimeve për fitime të shpejta dhe të larta. Nëse dyshoni për ndonjë platformë, kontaktoni autoritetet dhe denonconi aktivitetet e dyshimta. Informimi dhe kujdesi janë armët kryesore kundër mashtrimeve financiare online”, shpjegon Dokuzi.

Në qershor ishte Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare paralajmëroi qytetarët shqiptarë se një platformë e dyshimtë investimesh, e quajtur “NetherexPro”, po promovohej në rrjetet sociale dhe mund të rrezikojë të ardhurat e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos