Interesat e kredive, bankat fituan rreth 18 miliardë lekë në 6 muaj

Nga A2 CNN
26 Gusht 2025, 16:26 | Ekonomi

Interesat e kredive, bankat fituan rreth 18 miliardë lekë në 6

Bankat në vend fituan gati 18 miliardë lekë apo rreth 180 milionë euro në gjysmën e parë të vitit. Shuma që 11 institucionet financiare në vend kanë fituar, është pak më e ulët se në janar-qershorin e vitit të shkuar, por duke mbetur gjithsesi në nivelet më të larta ndonjëherë.

“Arsyet janë kryesisht prej të ardhurave të realizuara nga bankat. Dy janë produktet kryesore. Kryesisht nga interesat e kredive dhe komisionet bashkë me investimet në titujt qeveritarë”, shprehet eksperti Artur Ribaj.

Pjesa më e madhe e fitimeve janë korrur nga interesat e kredive. Të dhënat tregojnë se 11 bankat e nivelit të dytë arkëtuan gati 37 miliardë lekë apo rreth 370 milionë euro nga interesat. (grafik 1) Duke zbritur të gjitha shpenzimet, fitimi neto mbeti rreth 18 miliardë lekë.

 “Pra sa më tepër të rritet marzhi i interesave të depozitave të marra dhe kredive të dhëna, aq më tepër do të jetë masa e fitimit të realizuar”, shton Ribaj.

Shitblerja e pronave që ka shtyrë shqiptarët si kurrë më parë të trokasin në dyert e bankave renditet si një tjetër arsye. Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se për blerje banesash, në 6-mujorin janar-qershor, u morën nga bankat mbi 67 miliardë lekë kredi. Kjo shumë është sa 21.3 për qind e huasë së re të dhënë në këtë periudhë kohore.

“Kredi-dhënia është mbështetësi kryesor në financimin e blerjes së pronave dhe pasurive dhe duke qenë kredi ajo do të realizojë norma kthimi të konsiderueshme për bankat, të cilat po na rezultojnë në këta tregues që kemi.”

Me gjithë uljen e normës bazë të interesit për lekun në 2.5 për qind nga Banka e Shqipërisë, ekspertë të tregut financiar vlerësojnë se bankat në vend do të vijojnë të korrin fitime të kënaqshme edhe në vijim.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos