Presioni i çmimeve mbi familje, qeveria po shqyrton mbështetje të re për pensionistët

Nga Marjo Brakaj
22 Shtator 2026, 17:38 | Ekonomi

Pas indeksimit të pensioneve nga 1 korriku, të moshuarit dhe shtresat në nevojë pritet të marrin edhe ca para më tepër. Qeveria është duke diskutuar për hartimin e një pakete ndihme të ngjashme me ato të rezistencës sociale apo solidaritetit.

Selim Blliku, ekspert për ekonominë, shprehet:  “Me këto norma inflacioni përfituesit e pensionit, pavarësisht kategorisë janë duke vuajtur. Ndaj unë gjykoj se paketa mund të hartohet e shpërndahet brenda këtij gjashtëmujori, pa pritur fundin e vitit.”

Në paketë parashikohet të përfshihen kategoritë e përfituesve të pensionit, bashkë me invalidët e punës dhe përfituesit e ndihmës ekonomike. Ata pritet të marrin nga 10 mijë lekë për tre muaj me radhë. Për ekspertët e ekonomisë është e rëndësishme që nga masat mbështetëse të përfitojnë të gjithë, përfshirë pensionistët e futur në skemë rishtazi.

 “Është një numër i konsiderueshëm i tyre që nuk ka plotësuar vitet e nevojshme dhe merr një masë të ulët të pensioneve. Nuk duhet të ndodhë ajo e vitet të shkuar ku u përfshinë vetëm 285 mijë pensionistët. Duhet të marrin mbështeten të gjithë”, vijon Blliku.

Një paketë ndihme e mirëpresin edhe pensionistët.

 “Do ngrihen do ngrihen... 2 mijë lekë ma kanë rritur mua herën e fundit. Unë nuk kam besim fare te ato që thonë ata. Mua as me 6 mijë lekë nuk më rritet. Çmimet në qiell e pensionet rriten kaq pak. Jemi në vështirësi të mëdha ne”, shprehet një pensionist.

Hartimi i një skeme mbështetëse për shtresat në nevojë po mendohet në një kohë që ekonomia zyrtarisht raportohet se po kalon “ditë të mira”.

Kryesisht nga çmimet dhe fitimet e individëve e bizneseve në gjysmën e parë të vitit në buxhetin e shtetit hynë mbi 410 miliardë lekë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në krahasim me janar-qershorin e vitit të shkuar, arkëtimet janë rritur me 44.6 miliardë lekë apo 12 për qind. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos