557 miliardë lekë deri në gusht, shteti mbledh më shumë, por paratë mbeten në arkë

Nga Marjo Brakaj
21 Shtator 2026, 15:30 | Ekonomi

Kryesisht nga çmimet dhe fitimet e individëve e bizneseve deri në gusht në buxhetin e shtetit hynë mbi 557 miliardë lekë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në krahasim me janar-gushtin e vitit të shkuar, arkëtimet janë rritur me 58.5 miliardë lekë apo 11.7 për qind.

“Është e rëndësishme të kuptojmë se kush e ka mbajtur barrën kryesore të kësaj rritjeje. Kur të ardhurat rriten, pyetja kryesore është nëse kjo vjen nga zgjerimi i bazës së tatimpaguesve, nga ulja e informalitetit apo nga pagesa më e madhe e atyre që janë tashmë pjesë e sistemit”, thotë për A2 CNN Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.

Me gjithë inflacionin e zbutur, nga tatimi mbi vlerën e shtuar mbi çmimet e ushqimeve dhe produkteve u mblodhën plotë 108.5 miliardë lekë. Rritja e pagave të individëve gjithashtu kontribuoi me gati 65.5 miliardë lekë, ndërsa detyrimet e bizneseve me 38.6 miliardë lekë.

“Problemi nuk është vetëm sa para mblidhen, por sa mirë përdoren ato. Investimet publike kanë një rol të drejtpërdrejtë në ekonomi, ndaj mosrealizimi i tyre do të thotë humbje e një mundësie për të nxitur zhvillimin dhe për të përmirësuar shërbimet”, thotë Muço.

“Ky është një lajm i mirë për buxhetin e shtetit, por jo për qytetarët dhe bizneset. Këta të fundit po paguajnë më shumë. Na mungon një analizë që të tregojë se sa janë ngushtuar evazioni dhe informaliteti. Nëpërmjet tyre ne do mund të matnim edhe performancën e përgjithshme të politikave”, thotë Gjokutaj.

Nga ana tjetër u shpenzuan pak më shumë se 557 miliardë lekë, nga 496 miliardë në janar-gusht 2025. Plani është realizuar vetëm në masën 95 për qind duke treguar për vijim të ‘problemit kronik’ mos harxhimi i parave, sidomos të atyre për investime publike.

“Duhet analizuar me kujdes. Pse nuk janë realizuar investimet. Ky është problem. Nuk është kurim por mungesë eficence nga institucionet”, thotë Muço.

Të ardhurat ndjeshëm më të larat se shpenzimet bënë që ekonomia e vendit të mbyllej pozitivisht deri në gusht me 61.6 miliardë lekë të kursyera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos