Kush ka një banesë në pronësi do të paguajë më shumë taksa. Edhe më shumë para do të nxjerrë nga xhepi cilido që ka dy ose më shumë apartamente në zotërim nga 1 janari 2026. Që paratë të mblidhen plotësisht, qeveria do të nisë të zbatojë projektin “ProTax Albania”.
Për herë të parë do të aplikohet një taksim mbi vlerën reale të tregut dhe jo mbi çmimet e vjetra, një sistem që sipas qeverisë ka prodhuar padrejtësi dhe të ardhura minimale për bashkitë
"Ditë e rëndësishme për bashkitë në vend, sepse për të rritur të ardhurat, taksa e pasurisë është e para dhe mua më vjen mirë se kur jam vënë në dijeni për këtë reformë, ishte një nismë që i motivoi të gjithë për ta vënë në jetë. Ka një rritje të konsiderueshme të të ardhurave lokale bazuar mbi taksën e pronësisë, që çon në shërbime më të mira për qytetarët. Patjetër do kemi një hartë që do ta ketë shtratin e qëndrueshëm për të ofruar shërbime më të mira”, tha ministri i shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.
Të gjitha pagesat do të shkojnë drejtpërdrejt në bashki. Qëllimi është i qartë, të rriten të ardhurat vendore, të ketë më shumë investime lokale dhe më shumë shërbime për qytetarët, nga ndriçimi publik te rrugët dhe hapësirat e gjelbra.
“Taksa mbi pronën duhet të jetë taksa më kontributive dhe më e rëndësishme për njësitë e vetëqeverisjes vendore. Garantimi i mbledhjes së saj, nuk mund të konsiderohet thjesht dhe vetëm si më shumë të ardhura në buxhetin e bashkive, por duhet të përkthehet në më shumë shërbime për qytetarët, në më shumë investime publike, të cilat nga ana tjetër përkthehen edhe në një mirëqenie për komunitetet ku ju veproni. Nga ana tjetër, kjo taksë do t’i garantojë bashkive një pavarësi financiare”, tha Petrit Malaj, ministër i Finacave.

“Lançimi i reformës së taksës dhe pasurisë së paluajtshme në Shqipëri është një nismë e rëndësishme, që po krijon një sistem modern të taksës së pronës në vendin tonë, i cili do të bazohet në vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme, dhe do të forcojë rolin e bashkive në mbledhjen e kësaj takse të rëndësishme”, tha Arben Seferaj, kreu i Drejtorisë së Taksës së Pasurisë.
2026 dhe 2027 do të jenë vite tranzitore. Kjo do të thotë se qytetarët nuk do të përballen menjëherë me tarifën e plotë. Bashkitë do të kenë kohë të integrohen në sistemin e ri të kadastrës, ndërsa vlerësimi i tregut do të bëhet me faza.
“BE dhe partnerët ndërkombëtarë, si Banka Botërore dhe FMN, na kanë këshilluar se një implementim i duhur i sistemit të taksës së pronës me vlerën e tregut është baza për të ardhura të qëndrueshme dhe për autonomi të vërtetë fiskale”, tha Niklas Strom, Ambasadori i Suedisë në Shqipëri.
Për vite me radhë, të ardhurat nga taksa e pronës në Shqipëri zinin vetëm 0.3 për qind të PBB-së, tre herë më pak se vendet fqinje. Ministria e Financave përllogarit që deri në vitin 2030 të ardhurat të zënë 1 për qind të PBB-së duke ju afruar direktivave të Bashkimit Europian. (A2 Televizion)