Ministria e Mjedisit bën llogaritë, gati 10 miliardë dollarë deri në 2036 për ndryshimet klimatike

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2025, 18:25 | Ekonomi

Ministria e Mjedisit bën llogaritë, gati 10 miliardë dollarë

Shqipëria duhet të shpenzojë 9.8 miliardë dollarë deri në vitin 2036 për të zbutur efektin e ndryshimeve klimaterike. Përllogaritjet i ka bërë Ministria e Mjedisit e cila ka hartuar dhe hedhur për konsultim publik projektvendimin “Për miratimin e Planit Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026-2036”.

Zhvillimi urban ka koston më të lartë të përllogaritur i ndjekur nga pyjet dhe transporti ndërsa turizmi ka koston më të ulët të përllogaritur.

“Shqipëria, për shkak të pozicionit të saj bregdetar në Evropën Jugore dhe rrethanave socio-ekonomike e institucionale, është veçanërisht e ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike. Parashikimet tregojnë rritje të vazhdueshme të temperaturave, ulje të reshjeve, shtim të fenomeneve ekstreme të motit dhe pasoja të dukshme nga rritja e nivelit të detit, veçanërisht përgjatë bregdetit të Adriatikut. Këto zhvillime kërcënojnë komunitetet, infrastrukturën dhe ekosistemet, duke nënvizuar nevojën urgjente për planifikim të koordinuar dhe multisektorial të përshtatjes”.

Përpjekjet për të zbutur efektin e ndryshimeve klimaterike shtrihen në pesë sektorë kryesorë, Bujqësi dhe Pyje, Zhvillim Urban, Turizëm, Energji dhe Transport.

“Qëllimi kryesor i projekt-vendimit është reduktimi i ndikimeve të lidhura me ndryshimet klimatike në mbarë vendin, përmes forcimit të kapaciteteve institucionale dhe teknike që mbështesin integrimin e Përshtatjes ndaj Ndryshimeve Klimatike në planifikimin afatmesëm dhe afatgjatë. Projekt-vendimi synon funksionalizimin e një procesi të unifikuar, gjithëpërfshirës dhe afatgjatë të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.”

Mjedisi është kapitulli më i vështirë në negociatat e Bashkimit Evropian dhe ky shqetësim u ngrit edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve në gusht.

“Në kuadër të procesit të integrimit evropian, projektakti kontribuon në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian, veçanërisht me kërkesat e Rregullores së Bashkimit Evropian për Qeverisjen e Unionit të Energjisë dhe Veprimin për Klimën e cila vendos detyrim për shtetet anëtare dhe vendet kandidate për të hartuar plane kombëtare të përshtatjes dhe për të ngritur mekanizma efektivë monitorimi dhe raportimi.”

Nga përmbytjet, zjarret dhe dëmet në bujqësi, Shqipëria rrezikon të humbasë rreth 15.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo rreth 3.5 miliardë euro deri në vitin 2028. Raporti rajonal për Klimën dhe Zhvillimin në Vendet e Ballkanit Perëndimor i Bankës Botërore vlerëson se humbjet e Shqipërisë janë më të mëdhatë në Ballkanin Perëndimor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos