Drejtoresha e AMF në Forumin e Brezovicës: Prioritet edukimi financiar dhe digjitalizimi, apel për integrim të tregjeve në Ballkan

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2025, 10:30 | Ekonomi

Drejtoresha e AMF në Forumin e Brezovicës: Prioritet edukimi financiar

Përfaqësues të biznesit, institucioneve financiare dhe rregullatorëve të rajonit, u mblodhën në Forumin Ekonomik të Brezovicës 2025, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe dhomat e tregtisë të Ballkanit Perëndimor.

Në të ishte e pranishme edhe drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi, ndërsa Komisioni Europian përshëndeti nismën duke theksuar mbështetjen për investime dhe integrim europian.

Në panelin për qasje në financa, të moderuar nga Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, Kaçi prezantoi zhvillimet e tregjeve jobankare në Shqipëri, nismat e AMF-së për rritjen e aksesit në financim, si edhe zgjerimin e instrumenteve financiare.

Ajo vuri në dukje gjithashtu rëndësinë e edukimit financiar, veçanërisht për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, si dhe atë të digjitalizimit, si prioritete dhe mekanizma kyçe për rritjen e aksesit në financa.

Ajo theksoi se bashkëpunimi rajonal mbetet thelbësor për zhvillimin e tregjeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa pjesëmarrja në forum dëshmon angazhimin e AMF-së për modernizimin dhe forcimin e tregjeve jobankare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos