Puna në të zezë ende e përhapur, inspektorati gjeti 2.600 punonjës të padeklaruar në 2024

Nga A2 CNN
10 Mars 2025, 17:21 | Ekonomi

Puna në të zezë u përhap edhe më shumë vitin e shkuar. Pas kontrolleve në gati 10 mijë biznese e institucione vitin e shkuar, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore gjeti 2 mijë e 600 të punësuar të padeklaruar. Në raport me 2023-shin, informaliteti në tregun e punës rezulton të jetë zgjeruar me 32.3 për qind, ndërsa në krahasim me 2022-shin me 46 për qind.

“Çështja e informalitetit në tregun e  pagave nuk lidhet me vetëm mos-deklarimin e tyre, por edhe mungesën e kategorizimit të pagave. Sot bizneseve iu mungon një hierarki e pagave”, shprehet Erald Pashaj.

Kriza e veçanërisht dy viteve të fundit duket se ka kthyer vëmendjen e të gjithëve te fuqia punëtore, por jo te paga e tyre.  Gati 200 mijë të punësuar apo 18.2 për qind e totalit rezulton të marrin një pagë minimale bruto në masën 40 mijë lekë. Në raport me 2023-shin, numri i të punësuarve me pagë minimale ra lehtë.

“Nuk është kaq e thjesht dhe nuk mund të realizohet vetëm me një fjalë goje. Fenomeni i pagave “gri” do të jetë prezent edhe për shumë kohë”, shton Pashaj.

Tregtia, ku përfshihet edhe sektori i bareve, restoranteve, hoteleve apo shërbimeve të tjera kanë pasur numrin më të madh të punonjësve informalë. Lista ndiqet nga ndërtimi dhe industria prodhuese ku përfshihet dhe fasoneria.

“Natyrisht që ky fenomen është në dëm të buxhetit të shtetit. Fenomeni i pagave “gri” do të jetë prezent edhe për shumë kohë”.

Të dhënat nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore tregojnë se nga kontrollet e ushtruara vitin e shkuar u gjetën edhe 93 të huaj pa leje pune nga 27 gjatë 2023-shit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos