“Nuk dimë se çfarë po hamë. Por, dimë që po hapin lloj e lloj sëmundjesh. Nuk po na ikin sëmundjet nga këto pisllëqet që hamë. Nuk kanë të përfunduar virozat”.
Domate me pesticide nga Berati dhe pjeshkë me përmbajtje të metaleve të rënda nga Divjaka... siguria ushqimore në vend është vënë sërish në pikëpyetje. Këtë herë “alerti” vjen nga Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina. Autoritetet e dy shteteve asgjësuan plot 9 ton me produkte ushqimore të importuara nga Shqipëria.
“Menjëherë pas marrjes së njoftimit, rasti i kaloi për ndjekje strukturave të Drejtorisë Rajonale të AKU Fier. U krye inspektim në operatorin eksportues, ku rezultoi se nuk ka gjendje të produktit në magazinat e tij. Subjekti disponon sistem gjurmueshmërie, ku u verifikua se produkti është dërguar i gjithi për eksport dhe nuk është shpërndarë në tregun vendas. Sasia prej 5562 kg pjeshkë janë dërguar drejt Kroacisë, ku dhe janë asgjësuar pas rezultatit të analizës laboratorike”, u shpreh AKU.
Megjithëse Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se, të paktën asnjë prej domateve me përmbajtje të helmit që përdoret për të vrarë insektet “chlorfenapyr” nuk është hedhur në tregun vendas, qytetarët janë të shqetësuar.
“Shteti mos të merret me këto çadrat, por të merret me kontrollet e çmimeve dhe cilësisë. Ku ta kontrollojmë ne? Ne mundohemi të blejmë te këta që janë të fshatit”, thotë një qytetare për A2.
“Është shumë shqetësuese. Nuk kemi mundësi të dimë nga vjen ushqimi, si është përgatitur apo sa është i kontrolluar. Ndihen shumë të pasigurt për shëndetin e familjes sonë dhe mezi presim që autoritetet të marrin masa konkrete”, shton një tjetër.
Një udhëtim mes shijes dhe pasigurisë, që tregon se pas çdo fruti të bukur, fshihet një pyetje e madhe: a është ky ushqim i sigurt për ne dhe familjet tona? Kësaj të fundit as tregtarët nuk dinë t’i japin përgjigje: “Ne përpiqemi të ofrojmë ushqime të sigurta, por është shumë e vështirë të kontrollosh çdo produkt që vjen nga furnizuesit. Shpesh marrim dokumentacionin e nevojshëm, por qytetarët nuk e shohin këtë dhe na fajësojnë pa e ditur situatën e plotë. Do të ishte shumë më mirë sikur autoritetet të bënin kontrolle më të shpeshta dhe transparente, në mënyrë që edhe ne, edhe konsumatorët të ndiheshim të sigurt”.
E teksa qytetarët ndihen të pasigurt, tregtarët përpiqen të shpjegojnë diferencat mes produkteve të fushës dhe atyre të serrës, ndërsa sëmundjet dhe pesticidet duket se bëjnë pjesë të përditshmërisë së tavolinës sonë.
“Domatja e fushës ka shije të veçantë dhe është shumë më e natyrshme, por nuk zgjat shumë dhe mund të ketë defekte natyrore. Domatja nga serra është më e bukur në pamje, më uniforme dhe zgjat më shumë në treg, por shpesh ka përdorim plehesh kimikë dhe nuk ka të njëjtën shije. Klientët shpesh nuk e dallojnë këtë diferencë dhe mendojnë se po blejnë diçka të njëjtë, por në fakt janë dy produkte shumë të ndryshme në cilësi dhe shije”, thekson tregtari.
Kjo është hera e disatë që produktet ushqimore shqiptare asgjësohen apo kthehen në pikat kufitare për shkak të përmbajtjes së lartë të pesticideve. Fundvitin e shkuar u bllokuan disa tonelata me mandarina dhe kastravecë për shkak të niveleve të larta të pesticideve. (A2 Televizion)