Kushdo që ka investuar në skemat piramidale në internet i ka humbur paratë. Me ndërprerjen e aktivitetit, investimi nuk rikthehet. Humbja e parave të bllokuara të shumë shqiptarëve mund të konfirmohet duke u bazuar edhe te ajo që ka ndodhur në shtete të tjera.
Paratë janë të humbura në çdo rast. Me ndërprerjen e aktivitetit me “skemat piramidale” online, investimi nuk rikthehet.
Edon Vagagji, ekspert i sigurisë në IT, shprehet për A2: “Këto platforma funksionojnë duke mashtruar përdoruesit me fitime të shpejta dhe të sigurta, duke i joshur me reklama të shumta në rrjete sociale. Fillimisht, ato paguajnë disa përdorues për të krijuar besim dhe për të tërhequr të tjerë, por më pas, kur arrihet një numër i madh investimesh, aktiviteti ndërpritet papritur. Në momentin që rrjeti bie, gjurmët digjitale fshihen, paratë transferohen në llogari të paarritshme dhe gjasat për t’i marrë mbrapsht janë pothuajse zero”.
Humbja e parave të bllokuara të shumë shqiptarëve mund të konfirmohet duke u bazuar edhe te ajo që ka ndodhur në shtete të tjera.
“Në vende të tjera të rajonit dhe Europës, ku kanë ndodhur skema të ngjashme, janë zhdukur miliona euro dhe vetëm një pjesë fare e vogël është arritur të rikuperohet. Këto platforma regjistrohen në juridiksione ku ligjet janë të dobëta dhe autoritetet lokale nuk kanë mundësi të ndërhyjnë. Deri sa të nisin hetimet, gjurmët digjitale fshihen dhe paratë shpërndahen në qindra llogari të ndryshme, duke e bërë praktikisht të pamundur kthimin e tyre”, shtoi Vagagji.
Dyshime ka se pas tyre, veç grupeve kriminale të huaja, fshihen edhe shtetas shqiptarë.
“Ka dyshime të forta që këto skema nuk operohen vetëm nga grupe kriminale jashtë vendit, por edhe nga shtetas shqiptarë që shfrytëzojnë njohuritë teknologjike dhe rrjetet lokale për t’i bërë ato më të besueshme. Ata krijojnë faqe dhe aplikacione në gjuhën shqipe, përdorin reklama të targetuara në rrjete sociale dhe madje përdorin figura të njohura për të rritur kredibilitetin. Kjo e bën shumë më të vështirë identifikimin dhe goditjen e tyre, pasi aktiviteti duket fillimisht si i ligjshëm, ndërsa në prapaskenë paratë transferohen jashtë vendit”, shtoi më tej eksperti IT për A2.
Skemat mashtruese online vlerësohet se i kanë zhvatur qytetarëve shqiptarë rreth 5 milionë euro. Pavarësisht reagimeve nga Policia e Shtetit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe ai për Mbikëqyrjen Financiare, pas shqetësimit të ngritur nga deputeti socialist Erion Braçe, “firmat piramidale” vijojnë aktivitetin në rrjetin social Telegram.
Nga “TEXE apo “GROKREXDUU” platformat kanë ndryshuar emër, ndërsa “XUEXA” vijon me të njëjtin identitet. (A2 Televizion)