Nga ish-fabrika e sallamit në Përmet dhe ajo e salcës në Fier, te ish-Frigoriferi në Mirditë... bashkë me disa ndërtesa në Elbasan...
Qeveria ka nxjerrë në shitje tetë ish-fabrika dhe objekte të vjetra. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka nxjerrë në ankand 4 ndërtesa në Gjinar dhe Zavalinë të Elbasanit me vlera që nisin nga 162 mijë lekë e deri në 1.1 milionë lekë, shkruan A2. Sipërfaqja e tyre nis me 25 dhe shtrihet deri në gati 103 metër katrorë.
Ankandi për ish-fabrikën e sallamit dhe Magazina e Prodhimit në Përmet me sipërfaqe 720 m2 nis me 3.5 milionë lekë. Ndërkohë, ish-fabrika e salcës në Fier është nxjerrë në shitje për 56.1 milionë lekë. Për dy ish-frigoriferët në Rrëshen e Mirditë, ankandi nis me vlera nga 206 mijë e deri në 4.6 milionë lekë.
“Kërkesë me shkrim për blerje e regjistruar pranë protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacioni. Garancinë bankare apo mandat pagesën në origjinal që vërteton ngurtësimin e 20 % të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë për llogari të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Dokument identifikimi (pasaportë biometrike ose letërnjoftim).”
Ankandi për shitjen e këtyre objekteve do të zhvillohet në orën 10:00, në 25 shtator. (A2 Televizion)