Rama investitorëve të huaj: Blini sot qoftë edhe një gur në Shqipëri, nesër mund të jetë vonë

Nga Marjo Brakaj
27 Mars 2025, 12:02 | Ekonomi

“Blini sot qoftë edhe një gur, nesër do të jetë vonë!” Me këtë thirrje iu drejtua kryeministri Edi Rama investitorëve dhe agjencive të zhvillimit nga 37 vende të ndryshme të botës që u bënë bashkë në eventin më të madh të biznesit në Tiranë “Match-Maker Albania 2025”.

“Nesër të gjithë do të duan të vijnë, të gjithë do të duan të blejnë dhe do të jetë shumë e shtrenjtë për shumicën prej jush. Çfarëdo doni të bëni, bëjeni tani. Është një moment kur Shqipëria nis të lulëzojë dhe ende nuk është plotësisht e njohur për potencialin që ka dhe për mundësitë e jashtëzakonshme, kur të gjithë ta marrin vesh, nuk do të jetë kaq e lehtë sa ç’është sot”, tha Rama.

Në event u firmosën pesë memorandume të reja të mirëkuptimit me Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Britaninë e Madhe dhe Kazakistanin.

“Këto memorandume nuk janë dokumente të thjeshta, por ato ndërtojnë ura për të gjetur, partnerë, rrugë e tregje të reja për Shqipërinë. E kemi nisur këtë program me një objektiv shumë të qartë, për të rritur pozicionin e Shqipërisë si një destinacion për investime konkurruese  dhe eksporte cilësore. Donim që ta vinim këtë në linjë me performancën ekonomike shqiptare. duke arritur që vitin e shkuar 1.58 miliardë euro investime të huaja”, tha Laura Saro, drejtoreshë e AIDA.

Për ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve “Është më shumë se një platformë për bashkëpunime, por pasqyron momentin e rëndësishëm që Shqipëria ka ndërtuar”, tha Gonxhja. “Këto marrëveshje janë më shumë se gjeste diplomatike. Ato janë angazhime për të bashkëpunuar, për të shkëmbyer njohuri dhe për të investuar në rritjen e njëri-tjetrit, në turizëm, pasuri të paluajtshme, teknologji, inovacion, agrobiznes, prodhimi, energjia, financat, kujdesi shëndetësor etj”.

“Match-Maker Albania 2025”, e organizuar nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit vlerësohet si një mundësi për të lidhur eksportuesit shqiptarë me tregjet ndërkombëtare, për të prezantuar investime vendase dhe të huaja në Shqipëri, për të shfaqur potencialin e vendit dhe për të krijuar bashkëpunime të reja me kompani globale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos