
Jet Bank ka reaguar pas kërkesës së depozituar nga shtatë deputetë të Partisë Demokratike pranë Bankës së Shqipërisë, ku kërkohet informacion mbi procedurat e licencimit të bankës së parë digjitale në vend.
Përmes një emaili drejtuar redaksisë së A2 CNN, Jet Bank thekson se licencimi i saj është realizuar nga Banka e Shqipërisë pas një procesi të plotë rregullator dhe mbikëqyrës, në përputhje me legjislacionin bankar në fuqi dhe standardet e mbikëqyrjes financiare.
Sipas bankës, procesi ka përfshirë verifikime dhe kontrolle të detajuara mbi strukturën aksionere, burimet e financimit, qeverisjen korporative, si dhe mekanizmat e sigurisë dhe përputhshmërisë me kuadrin ligjor.
“Jet Bank është licencuar nga Banka e Shqipërisë pas një procesi rigoroz rregullator dhe mbikëqyrës, në përputhje me kuadrin ligjor bankar në fuqi dhe standardet e mbikëqyrjes financiare”, thuhet në reagimin e bankës.
Në qëndrimin e saj, Jet Bank e lidh zhvillimin e bankimit digjital me procesin e modernizimit të sektorit financiar shqiptar dhe integrimin europian, duke theksuar se inovacioni teknologjik, siguria kibernetike dhe standardet kundër pastrimit të parave përbëjnë tashmë elementë thelbësorë të funksionimit të sistemit bankar.
Banka i është përgjigjur edhe shqetësimeve të ngritura publikisht nga deputeti demokrat Belind Këlliçi, i cili ka kërkuar sqarime mbi aspektet e sigurisë kibernetike dhe mekanizmat për parandalimin e pastrimit të parave.
Sipas Jet Bank, përvoja europiane ka treguar se modelet moderne të bankave digjitale nuk ulin standardet e sigurisë, por i forcojnë ato përmes teknologjive të avancuara të monitorimit dhe kontrollit.
“Në ekonominë moderne europiane, bankingu digjital, cyber resilience dhe kuadri AML/CFT konsiderohen elementë thelbësorë të sigurisë kombëtare financiare. Teknologjia nuk ul standardet e sigurisë. Përkundrazi, i forcon ato përmes monitorimit në kohë reale, proceseve të avancuara kundër pastrimit të parave dhe gjurmueshmërisë së plotë të transaksioneve financiare”, thuhet në reagim.
Jet Bank nënvizon se është ndërtuar mbi standarde moderne europiane të sigurisë dhe transparencës, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë të teknologjisë.
Banka shton se skepticizëm ndaj modeleve të reja të bankimit digjital ka pasur edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian, por se institucionet europiane kanë mbështetur vazhdimisht inovacionin, konkurrencën dhe transformimin teknologjik të sektorit financiar.
Reagimi vjen pasi më herët deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, njoftoi se shtatë deputetë të opozitës kanë firmosur një kërkesë zyrtare drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, duke kërkuar informacion dhe sqarime të detajuara mbi procedurat e licencimit të Jet Bank, bankës së parë plotësisht digjitale në Shqipëri.
Reagimi i plotë
Jet Bank është licencuar nga Banka e Shqipërisë pas një procesi rigoroz rregullator dhe mbikëqyres, në përputhje me kuadrin ligjor bankar ne fuqi dhe standardet e mbikëqyrjes financiare.
Procesi i licencimit ka përfshirë kontrolle te detajuara mbi strukturën aksionere, burimet financiare dhe qeverisjen.
Shqipëria po hyn në një fazë të re të transformimit dhe modernizimit të sektorit bankar, ku inovacioni teknologjik, konkurrenca e ndershme, siguria kibernetike dhe zbatimi rigoroz i standardeve kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit nuk përbëjnë alternativa opsionale, por detyrime ligjore, rregullatore dhe strategjike që forcohen nga procesi i integrimit europian, harmonizimi me acquis communautaire dhe nevoja për të garantuar stabilitetin financiar, integritetin e sistemit bankar dhe mbrojtjen e interesit publik.
Në ekonominë moderne europiane, bankingu digjital, cyber resilience dhe kuadri AML/CFT konsiderohen elementë thelbësorë të sigurisë kombëtare financiare dhe të funksionimit të qëndrueshëm të tregjeve financiare.
Modelet moderne te bankave dixhitale ne Europë kanë treguar se teknologjia nuk ul standardet e sigurisë.
Përkundrazi, i forcon ato përmes monitorimit në kohë reale, proceseve të avancuara sigurisë kundër pastrimit të parave dhe gjurmueshmërisë së plotë të transaksioneve financiare.
Jet Bank është ndërtuar mbi këto standarde moderne europiane të sigurisë dhe transparencës, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë të teknologjisë.
Edhe gjate takimeve tona në Bruksel u evidentua se ne shume shtete te BE-se hyrja e bankave dixhitale fillimisht është shoqëruar me skepticizem dhe rezistence në emër të sigurisë apo mbrojtjes se konsumatorit.
Megjithatë, qëndrimi europian në mbështetje te inovacionit, bankave dixhitale dhe rritjes se konkurrencës në sektorin financiar ka qenë dhe mbetet i qartë dhe pozitiv. (A2 Televizion)