13 masa mbështetëse për fermerët, hapen aplikimet për skemën në bujqësi dhe blegtori

Nga Marjo Brakaj
25 Maj 2026, 15:24 | Ekonomi

Aplikimet për të përfituar nga masat mbështetëse në kuadër të Skemës Kombëtare në Bujqësi dhe Blegtori për këtë vit janë të hapura. Aplikimet kryhen në portalin qeveritar E-Albania dhe do të zgjasin një muaj.

“Deri tani janë mbi 5 mijë aplikantët e parë, ka një interes ndaj skemës kombëtare. Ka një afat një mujor, deri me 25 qershor. I kemi lënë akses të plotë fermerëve që të aplikojnë dhe të përfitojnë nga 12 masat e vëna në dispozicion. Ka një interes të shtuar”, tha ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla.

Fondi total për skemën kombëtare në bujqësi dhe blegtori këtë vit do të jetë në vlerën 5.2 miliardë lekë. Për herë të parë në masat mbështetëse janë përfshirë derrat, shkruan A2 CNN. Mbarështimi i tyre do të subvencionohet me 7 mijë lekë për fermat me mbi 5 dosa. Ndërkohë janë rritur lehtë masat mbështetëse për mbarështimin e lopëve, të imtave... financimi i bletarisë, bimëve medicinale dhe fermave organike.

Ndërkohë janë përgjysmuar kushtet për të përfituar, ndërsa nafta u hoq përfundimisht. “Kemi bërë një skemë të qëndrueshme në mënyrë që të paraqiteshim siç duhet. Kjo skemë është e dakordësuar dhe nuk kemi më ndryshime në vitet që do të vijnë. Vetëm nëse do të kemi ndryshime në aspektin financiar, do të shikojmë herë pas here ndryshime”, tha Salla.

Me skemën e cila nuk arrin dot të plotësojë nevojat e fermerëve, “shpëtimi” mund të vijë nga Brukseli me zhbllokimin e fondeve të IPARD 3. “Kemi bërë të gjitha detyrat e shtëpisë dhe të gjitha procedurat ligjore që na takojnë në bashkëpunim me Brukselin dhe Ministrinë e Financave, përmes MBZHR dhe AZHBR. Kemi çuar të gjithë dokumentacionin dhe mbetet në vlerësimin e Komisionit për ta vijuar me një hap tjetër. Ky është hapi i fundit që ne kemi kryer dhe presim përgjigjen e tyre për të vijuar procedurat ligjore”, tha ministri.

Veç skemës në bujqësi dhe blegtori, ndryshime do të ketë edhe te ajo e investimeve. Për fermerët e rinj do të jepen deri në 10 mijë euro grant, për stanet në blegtori 3 milion lekë, ndërsa për makineritë bujqësore 500 mijë lekë. (grafik 2) Në ditët në vijim, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të njoftojnë edhe datën e hapjes dhe mbylljes së aplikimeve për skemën kombëtare në bujqësi dhe blegtori 2026. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos