Rikthehen gjuetarët, Begaj i jep “OK” ligjit, bie ndalimi mbi 10-vjeçar

Nga A2 CNN
8 Janar 2026, 14:21 | Ekonomi

Pas më shumë se një dekade ndalim, në Shqipëri do të lejohet gjuetia. Pas dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj, ligji “Për gjuetinë” është publikuar në Fletoren Zyrtare. Në vend të zgjatjes së moratoriumit që skadoi gushtin e vitit të shkuar, gjuetia do të lejohet në disa zona të caktuara.

“Zonat e gjuetisë mund t’i jepen subjekteve private me anë të një procedure konkurrimi dhe për një afat jo më pak se 10 vjet, kjo për arsyen se sipas ekspertëve të fushës së gjuetisë, duhen të paktën 5 vjet për të përgatitur gjahun. Subjekti fizik ose juridik do të jetë njëkohësisht dhe menaxhuesi i zonës”, thotë për A2, Aleksandër Trajçe, Drejtor Ekzekutiv i PPNEA.

Gjuetarë do të jenë si fillim vetëm shtetasit shqiptarë, ata që kanë mbushur moshën 25 vjeç, që kanë armë me leje dhe që janë të pajisur me leje gjuetie. Sipas relacionit të projektligjit, statusi i zonës së gjuetisë do të hiqet për arsye të sigurisë kombëtare, nevoja të zhvillimit rural, kur ka keqpërdorim dhe kur nuk zbatohet kontrata me qiramarrësin.

“Në fakt projektligji i ri nuk ndryshon shumë nga nismat e mëhershme të moratoriumit. Në relacion thuhet gjithashtu se nisma ligjore do i shërbejë shtimit të popullatës së shpendëve dhe kafshëve. Problemi i madh është që ne sot nuk kemi asnjë të dhënë se sa ndikoi te përmirësimi i jetës së egër moratoriumi i shtyrë disa herë”, thotë Trajçe.

“Thuajse fare. Gjuetia e paligjshme vijoi edhe me mënyra të brakonazhit. U përdorën imituesit për shpendët. Pati edhe gjuetarë nga jashtë që e thyen moratoriumin”, thotë Joni Vorpsi, nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri.

Baza e re ligjore parashikon se në rastet kur në zona të ndaluar gjuhen kafshë që nuk janë pjesë e listës apo kur mungon leja e gjuetisë gjobat janë të majme dhe variojnë nga 500 mijë lekë në 1 milion e 300 mijë lekë. Po sa ndikuan këto masa edhe gjatë periudhës së moratoriumit për të frenuar gjuetinë e paligjshme?

“Në fakt projektligji i ri nuk ndryshon shumë nga nismat e mëhershme të moratoriumit. Në relacion thuhet gjithashtu se nisma ligjore do i shërbejë shtimit të popullatës së shpendëve dhe kafshëve. Problemi i madh është që ne sot nuk kemi asnjë të dhënë se sa ndikoi te përmirësimi i jetës së egër moratoriumi i shtyrë disa herë”, thotë Vorpsi.

Në vitin 2017, Federata Kombëtare e Gjuetisë propozoi që gjuetia të kthehej në një sport të licencuar kundrejt pagesës, që mund të sillte deri në 12 milionë euro të ardhura në vit për buxhetin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos