Kush pi duhan, do paguajë më shumë. Çmimet e paketave të cigareve në vend do të rriten. Kjo për shkak të akcizës së duhanit, një lloj takse që rritet çdo vit. Nga 7 mijë e 500 lekë për çdo 1 mijë fije cigare që ishte, çmimi rritet në 7 mijë e 750 lekë.
Roland Shuperka, ekspert i kontrollit të cilësisë së duhanit, u shpreh për A2CNN: “Çdo rritje e akcizës, sado e vogël të duket në letër, ka efekt zinxhir në treg. Importuesit dhe distributorët e përfshijnë menjëherë në koston e produktit, çka bën që çmimi për konsumatorin të rritet pothuajse automatikisht. Në fund, barra ekonomike bie mbi qytetarin, i cili paguan më shumë për të njëjtin produkt që konsumon çdo ditë.”
Bashkë me paketat e duhanit, më të shtrenjta nga ky fillim-janar do të jenë edhe cigaret elektronike. Nga 18 lekë për mililitër, akciza për të njohurat si “vape” rritet në 20 lekë për mililitër.
“Vendosja e akcizës edhe mbi cigaret elektronike synon të mbyllë boshllëqet që kanë ekzistuar në legjislacion ndër vite. Këto produkte janë perceptuar si alternativa më të lira ose më pak të dëmshme, por nga këndvështrimi i kontrollit të cilësisë dhe i politikave fiskale, ato trajtohen tashmë njësoj si çdo produkt tjetër që përmban nikotinë”, tha Shuperka.
Qeveria synon që nëpërmjet rritjes së çmimit të cigareve të ulë konsumin, duke mbrojtur shëndetin. Por, a do të bëjnë çmimet më të shtrenjta që shqiptarët të tymosin më pak?
“Nëse i referohemi të dhënave të importit dhe konsumit, shohim se rritja e çmimeve nuk ka sjellë një ulje të ndjeshme të përdorimit të duhanit. Konsumi mbetet i lartë, çka tregon se efekti i politikës së çmimeve është më i fortë në rritjen e të ardhurave për buxhetin sesa në ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve në afat të shkurtër”, deklaron Shuperka.
Deri në fundin e nëntorit të vitit të shkuar, në vend hynë 3 mijë e 150 tonë duhan, niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë.
Nga rritja e akcizës, Ministria e Financave pret që në buxhetin për vitin e ardhshëm të grumbullohen rreth 1 miliard lekë. (A2 Televizion)