Nis zbatimi i politikës së re: Kush ka fëmijë nën 18 vjeç do të tatohet më pak nga shteti

Nga Marjo Brakaj
6 Janar 2026, 15:52 | Ekonomi

Për herë të parë, nga ky vit, njërit nga çifti i prindërve që kanë fëmijë nën 18-vjeç do t’i zbriten automatikisht 48 mijë lekë nga baza e tatueshme kur të plotësojë Deklaratën e të Ardhurave Personale. Kjo e fundit është publikuar tashmë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

“Është një vlerë që ne e kemi kalkuluar për 500 mijë fëmijë sipas Censit të fundit dhe që mund ta përfitojnë prindërit e tyre. Ai që i ka të ardhurat më të larta dhe nëse do e bënim për të 500 mijë fëmijët, besoj që mund të arrijë... këto janë vlera paraprake, por mund të arrijë deri në 20 milionë euro”, theksoi drejtori i Përgjithshëm i DPT-së, Ilir Binaj, raporton A2 CNN.

Nis zbatimi i politikës së re: Kush ka fëmijë nën 18

Nëse paga e tij apo e saj mujore bruto gjatë 2025-s ka qenë në vlerën e 150 mijë lekëve, rrjedhimisht me të ardhura vjetore 1 milion e 800 mijë lekë, duke zbritur nga 30 mijë lekë çdo muaj si pjesë që nuk tatohet, detyrimi për 12 muajt përllogaritet në 187 mijë e 200 lekë. Por duke hequr edhe shumën prej 48 mijë lekësh në vit për fëmijën në përkujdesje, tatimi vjetor zbret në 180 mijë e 960 lekë. Pra, ky individ i punësuar do të paguajë 6 mijë e 240 lekë më pak tatim, që rrjedhimisht përkthehen në më tepër para në xhepa, shkruan A2 CNN.

Nis zbatimi i politikës së re: Kush ka fëmijë nën 18

“Kjo është një mënyrë që bëhet në shumë vende. Unë e kam parë në Amerikë. Është një mënyrë që ti në një farë mënyre do të ndihmosh familjet e shumë fëmijë, pasi edhe situata financiare e shumë familjeve është e ndryshme nga tjetra dhe patjetër ato që kanë më shumë fëmijë në varësi duhet të kenë më shumë ndihmë”, tha  drejtori i Përgjithshëm i DPT-së, Ilir Binaj, përcjell A2 CNN.

E njëjta logjikë vlen edhe për familjet me dy fëmijë nën 18 vjeç. Shpenzimet e zbritshme vjetore në këtë rast përllogariten në 96 mijë lekë. Pra, prindi me të njëjtën pagë, 150 mijë lekë në muaj do të paguajë tatim vjetor në vlerën e 174 mijë e 720 lekëve, 12 mijë e 480 lekë më pak nga sa do t’i merreshin nëse nuk do të kishte fëmijët minorenë në përkujdesje.

Nis zbatimi i politikës së re: Kush ka fëmijë nën 18

Gjithashtu, nga ky vit për prindërit me të ardhura vjetore jo më shumë se 1 milion e 200 mijë lekë në vit, do të aplikohen edhe shpenzimet e zbritshme për arsimimin e fëmijëve në masën maksimale 100 mijë lekë. Pra, prindi nuk do të paguajë 109 mijë e 200 lekë tatim në vit, por 89 mijë e 960, duke kursyer kështu 19 mijë 240  në vit.

  (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos