Rreziqet financiare nga klima, Banka e Shqipërisë për herë të parë me strategji menaxhimi

Nga Marjo Brakaj
8 Nëntor 2023, 16:40 | Ekonomi

Ndryshimet klimatike dhe rreziqe financiare që lidhen me to kanë diktuar nevojën e një strategjie menaxhimi për herë të parë në këtë fushë ne vendin tonë. Banka e Shqipërisë po bashkëpunon me Bankën Botërore dhe institucione publike dhe private për masat konkrete të dokumentit 2023-2025. Përfaqësuesi i Bankës Botërore për Shqipërinë theksoi rëndësinë e financimeve të qëndrueshme në zbutjen e rreziqeve të ardhshme klimatike për Shqipërinë.

“Duhet të përgatitemi dhe t’i përdorim instrumentet  dhe kapacitetet financiare që kemi,  t’i vendosim në ato risqe që ne njohim por dhe të jemi gati dhe për ato risqe që mund të ndodhin. Sistemi financiar luan një rol kyç në lidhje me ndryshimet klimatike, pasi këto fenomene dhe tranzicioni janë burim rreziku për keto institucione”, u shpreh Emanuel Salinas, Drejtues i Bankës Botërore Për Shqipërinë.

Në strategji thuhet se bankat duhet të menaxhojnë rreziqet që lidhen me klimën por dhe të realizojnë investime që përputhen me përgjegjësinë mjedisore. Guvernatori  Gent Sejko, tha gjatë konferencës se bankat duhet të jenë më të mirëpajisura për t’u adaptuar me shpejtësi dhe efektivitet ndaj një situate të re.

“Ndryshimet klimatike ushtrojnë presion të konsiderueshëm edhe në stabilitetin e sistemeve tona financiare. Është mëse e qartë që sektori ynë financiar nuk mund të operojë i izoluar nga këto sfida. Dokumenti strategjik paraqet edhe masa konkrete për përgatitjen tonë ndaj sfidave dhe shfrytëzimin e mundësive që krijon menaxhimi i rreziqeve klimatike. Strategjia që publikojmë sot, ofron një plan veprimi për të identifikuar, monitoruar dhe menaxhuar rreziqet e lidhura me klimën, duke siguruar kështu stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit tonë financiar”, u shpreh Gent Sejko, Guvernator i Bankës Së Shqipërisë.

Sipas Sejkos sektori bankar duhet të rrisë rezistencën jo vetëm ndaj goditjeve financiare tradicionale, por edhe ndaj fenomeneve klimatike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos