Vjeshta duket se ka sjellë më shumë optimizëm te shqiptarët, me besimin e konsumatorëve që është përmirësuar gjatë shtatorit. Rritja e besimit tregon një perceptim më pozitiv të familjeve për situatën ekonomike dhe financiare. Por ky optimizëm do të duhet të përkthehet në konsum për të treguar nëse është thjesht një ndjesi apo një ndryshim real në sjelljen e konsumatorëve.
“Mirë jemi. Pse të ankohemi? Më mirë sesa kemi qenë jemi”, thotë një qytetare.
Vjeshta i ka bërë shqiptarët më optimistë. Në pyetësorin e përmuajshëm që Banka Qendrore bën, besimi konsumator u rrit me 2.3 për qind në shtator.
“Po të gjithë trajset plot i kanë. Kot qahen se blejnë çfarë të duan”, shprehet një tjetër qytetare.
Rritje të besimit në ekonomi në shtator raportuan edhe bizneset në fushën e ndërtimit dhe shërbimeve. E kundërta ndodhi me ato në sektorin e industrisë dhe tregtisë:
“Kjo pasi sipërmarrjet në këta sektorë i frikësohen rënies së kërkesës për konsum, shoqëruar nga vështirësitë në gjetjen e punonjësve. Nga ana tjetër ka rënie të prodhimit dhe konsumit”, tha ekspert për ekonominë Shpëtim Agolli.
Rritja e fortë e besimit te shërbimet dhe ndërtuesit bëri që treguesi i përgjithshëm i ndjesisë ekonomike muajin e shkuar të rritej me 0.3 pikë përqindje.
Po si parashikohet ecuria?
“Ekonomia është komplekse por të gjitha shenjat janë për një ecuri jo shumë pozitive për në vijim”, tha Agolli.
Luhatjet në drejtim të besimit në ekonomi nga bizneset dhe qytetarët, për ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj lidhen me situatën e krijuar në vend nga protestat. (A2 Televizion)