Blerjet e detyruara, mbi vlerat e planifikuara, për shkak të zhvlerësimit të euros kanë zgjeruar rezervën valutore të Shqipërisë në nivelin më të lartë ndonjëherë. Në fund të gushtit, ajo arriti në mbi 8.4 miliardë euro. Vetëm gjatë muajve të verës, rezerva valutore u zgjerua me mbi 600 milionë euro.
“Zhvlerësimi i euros gjithësi vijon, pavarësisht se rezerva ka arritur në nivelin më të lartë ndonjëherë”, thotë për A2 CNN Dritan Vakaj, kreu i Shoqatës së Agjencive të këmbimit Valutor.
Në krahasim me fundvitin e shkuar, rezerva valutore që Banak Qendrore ka mbledhur ka kapur shifrën e 1.1 miliardë eurove apo është zgjeruar me 15 për qind. Megjithatë euro vijon të zhvlerësohet duke dëmtuar veçanërisht eksportuesit.
“Dhe për mua kjo sjell pikërisht atë që po ndodh tani. Zhvlerësimin e euros edhe jashtë sezonit turistik. Oferta e euros është shumë e lartë”, thotë Vakaj.
Ekspertët vlerësojnë se Në kushtet e një ekonomie me aftësi të ulëta absorbuese, rezerva e lartë valutore mund të kthehet në pengesë për Bankën e Shqipërisë për të ndërhyrë te kursi i këmbimit në vijim.
“Rezerva valutore shërben për të shlyer borxhin e qeverisë në valutë, për të mbështetur tregtinë ndërkombëtare dhe për të parandaluar apo zbutur lëvizjet e forta të kursit të këmbimit. Sasia kaq e lartë mund t’i lidhë duart BSH”, thotë Vakaj.
Bazuar në një analizë paraprake, Ministra e Financave dhe Ekonomisë vlerëson se sasia e rezervës valutore është e mjaftueshme për të mbuluar mbi një vit importe. Nga ana tjetër, rritja e rezervës valutore, është një tjetër lajm i keq për eksportuesit. (A2 Televizion)