Parashikimet për një trend pozitiv të rritjes ekonomike, vitin e ardhshëm, i parashtron edhe Banka e Shqipërisë.
Një rritje me 0,1% duke prekur nivelin e 3,8%, drejtori i Politikave Monetare, Erald Themeli, e konsideron të qëndrueshme për ekonominë shqiptare: “Në analizat dhe parashikimet tona ne mendojmë që ekonomia shqiptare do të ketë një trend rritjeje dhe zhvillimi si në vitin 2024, ashtu dhe në horizontin e mëtejshëm kohor”.
Në pritshmëritë e projektbuxhetit 2024 theksohet se sektorët kryesorë të ekonomisë do të vazhdojnë të rriten me trende të përafërta të mesatares së tyre historike. Bujqësia konkretisht pritet të japë një kontribut mesatar vjetor në rritjen ekonomike prej rreth 0,4 pikë përqindje, industria 0,5%, ndërtimi 0,3% dhe shërbimet 2,2%.
Por, si do të përkthehet kjo për qytetarët? Themeli u shpreh: “Ekonomia shqiptare do të vazhdojë të shënojë rritje, çka do të mundësojë rritje të punësimit, rritje të pagave, rritje të mirëqënieve të familjeve dhe po ashtu të mbajë të shëndetshme bilancet e biznesit privat, por dhe zhvillim të qëndrueshëm të vendit në horizontin afatgjatë”.
Përballë pritshmërive pozitive të institucioneve shqiptare, Banka Botërore flet për një rritje më të moderuar të ekonomisë si pasojë e rritjeve të mëtejshme të çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, kontratat e partneritetit publik privat dhe fatkeqësitë natyrore, të cilat përbëjnë një rrezik për progresin ekonomik.
Rritja mesatare vjetore në periudhën afatmesme pritet në nivelin e 4%. (A2 Televizion)