Shkak, kriza me çmimet. Kryeministri Rama rikthen idenë për ent shtetëror për karburantet

Nga Marjo Brakaj
13 Mars 2026, 15:41 | Ekonomi

“Një nga objektivat tona është krijimi i një faktori të ri në tregun e naftës, një faktori shtetëror, një force publike për të krijuar një kapacitet që të lehtësojë barrën mbi qytetarët, sikundër e lehtësoi konkurrenca që ne nxitëm duke ndryshuar qasjen për fluturimet ajrore”, tha kryeministri Edi Rama të premten në një konferencë për mediat.

Ashtu si me energjinë elektrike, Shqipëria mund të ketë një ent publik edhe për karburantet. Kryeministri Edi Rama ka rikthyer idenë e hedhur fillimisht vitin e kaluar për të krijuar një kompani shtetërore, e cila do të tregtojë naftën, benzinën dhe gazin Kjo pas rritjes së ndjeshme, të çmimeve, shoqëruar nga akuza për abuzim nga kompanitë e hidrokarbureve.

“Fenomeni i luhatjeve të çmimeve në bursë dhe mosreflektimi i tyre drejt konsumatorit nuk është i ri; ai ka vazhduar për vite me radhë, duke nxitur paqartësi dhe humbje për qytetarët. Përpjekjet e mëparshme, përfshirë Bordet e Transparencës, nuk kanë mundur të ndalojnë këto praktikë, që lidhen kryesisht me përqendrimin e tregut në pak kompani”, thotë për A2 CNN Arbër Xhihani, ekspert për ekonominë.

“Rriten si raketë, ulen si pupël”... fenomeni i mos-ndjekjes në mënyrë të drejtë të çmimeve të karburanteve në bursë për t’i reflektuar më pas në tregun vendas është një fenomen i vjetër për Shqipërinë. Për herë të parë kjo formë abuzimi u provua nga Autoriteti i Konkurrencës 4 vite më parë, pas një hetimi në tregun e karburanteve për periudhën tetor 2021–shkurt 2022.

“Rritjet e shpejta të çmimeve dhe pasojat për konsumatorin tregojnë se tregu është i ndikuar nga pak aktorë, duke bërë që Shqipëria të renditet mes vendeve me çmimin më të lartë të karburanteve në rajon dhe më gjerë”, thotë Xhihani.

Ky fenomen nuk u arrit dot të zhbëhej as me ngritjen e të ashtuquajturit Bord i Transparencës për karburantet. Kjo problematikë që po përsëritet edhe këtë vit, për ekspertët, i ka rrënjët te përqendrimi i lartë i tregut të karburanteve në pak duar.

“Pa një konkurrencë të balancuar dhe mekanizma efektivë mbikëqyrjeje, çmimet e karburanteve do të vazhdojnë të luhaten pa kontroll, duke i vënë presion të drejtpërdrejtë qytetarëve dhe bizneseve. Vetëm përqendrimi i tregut në pak kompani dhe mungesa e transparencës mund të shpjegojnë pse Shqipëria renditet kaq lart në listat e çmimeve rajonale dhe globale”, thotë Xhihani.

Shqipëria është vendi i parë në Rajon, i shtatë në Evropë dhe i dhjetë në botë për çmimin më të lartë të naftës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos