Brenda këtij viti skemës së pensioneve mund t’i shtohet edhe kolona e dytë. Nga vetëm shtetëror dhe privat, skema do të përmbajë edhe pensionin e detyruar, një kombinim mes shtetit dhe privatit.
“Në gjykimin tim, implementimi i saj, që mbështetet në një qasje me llogari individuale të kursimeve të detyrueshme, ofron një perspektivë premtuese pasi është e dizenjuar me qëllim plotësimin e shtyllës së parë, duke siguruar diversifikim të burimeve të të ardhurave për pensionistët dhe financa publike më të konsoliduara”, deklaroi Mimoza Kaçi, Drejtore e Përgjithshme e AMF.
Kjo do të thotë që një shqiptar në marrëdhënie pune, mund të marrë tre pagesa: veç sigurimeve shoqërore të mbuluara nga punëdhënësi, ai paguan gjysmën e kuotës së parave të përcaktuar në skemën e pensionit privat të detyruar, përfshirë edhe sistemin vullnetar, në moshën e daljes në pension.
“E ka Kosova, e ka RMV, e ka Europa prej vitesh me radhë. Kolona e dytë i themi ne. Ose kolona e privatit me detyrim. Maqedonia e Veriut e ka në nivelin 8 për qind të pagës e cila kalon në një fond pensioni”, tha zëvendësministrja e MEKI, Olta Manjani.
Veç përafrimit me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian, futja e një kolone tjetër në skemën aktuale shihet nga aktorë të tregut të sigurimit si mënyra e vetme për të shpëtuar sistemin aktual të pensioneve të zhytur në deficit. (A2 Televizion)