Meritokracia, inovacioni dhe digjitalizimi janë 3 fushat në të cilën qeveria do të ndalet më së shumti për të reformuar administratën publike. Në strategjinë e nxjerrë për konsultim publik Ministria e Shtetit për Administratën Publike përcakton prioritetet që do të përqendrohet deri në vitin 2030.
“Një ndër sfidat kryesore mbetet zbatimi i qëndrueshëm dhe efektiv i ligjit të shërbimit civil, me synimin për të garantuar që rekrutimet dhe promovimet të kryhen bazuar në meritë, konkurrencë dhe transparencë për të gjitha nivelet e nëpunësve, me fokus të veçantë Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues.”
Për një administratë më efikase do të ketë një zhvillim të mëtejshëm të portalit e-albania, shmangien e letrave fizike por dhe aftësimin e qytetarit digjital thuhet në strategji. Ndërsa për të bërë Shqipërinë të konkurrueshme me rajonin por edhe më gjerë, një reformimi do të vazhdojë edhe tek pagat, shkruan A2 CNN.
“Reforma e suksesshme e rritjes së pagave në shërbimin civil duhet të avancojë me adresimin e çështjeve sistemike në klasifikimin e vendeve të punës, progresionin e pagave dhe shtesat e veçanta.”
Ndërmarrja e një strategjie të tillë është dhe një nga kushtet kryesore të kërkuara si pjesë e detyrimeve të Shqipërisë në kuadër të Grupkapitujve i “Themeloret” për t’u integruar në Bashkimin Europian. Reformat e marra deri më tani për Administratën publike shqiptare OECD/SIGMA I ka vlerësuar në vendin e parë në rajon në një monitorim të fundit. (A2 Televizion)