Nuk pret Kushtetuesen për Veliajn, Presidenti Begaj dekreton datën për zgjedhjet e pjesshme vendore

Nga Marjo Brakaj
1 Tetor 2025, 19:15 | Politikë

Si pasojë e shkarkimit të Erion Veliajt në Tiranë, dorëheqjes së Ermal Dredhës në Vlorë, zgjedhjes deputet të Tërmet Peçit në Tepelenë dhe Agron Malajt në Mat apo emërimit si ministër të Anid Sallës që drejtonte Cërrikun dhe Ervin Demos, Beratin, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vendosi që zgjedhjet e pjesshme në kryeqytet dhe 5 bashki të tjera të vendit të zhvillohen më 9 nëntor. 

“Vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, kurse vakanca në Bashkinë Tiranë është krijuar për shkak të shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak Tiranë, i cili me votën e këshilltarëve të shumicës dhe të pakicës (50 vota pro dhe vetëm 1 kundër) kërkoi që t’i hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në Tiranë”.

Bashkë me dekretin, Presidenti Begaj shpërndau edhe një sqarim publik për rastin e Tiranës, ku interpreton shkarkimin e ish-kryebashkiakut të Tiranës Veliaj, teksa ky i fundit është ankuar në Gjykatën Kushtetuese. Duke ndjekur këtë arsyetim, Presidenti thotë se verifikoi vetëm nëse ka një ankimim apo vendim pezullimi ndaj vendimit të qeverisë në Gjykatën Administrative.

“Presidenti i Republikës konstaton se në periudhën nga data e miratimit të VKM-së nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij, ndërkohë që afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit”.

Pas shpalljes së dekretit, Partia Demokratike e akuzoi Presidentin Begaj se kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe se kishte rrënuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, presidenti i kishte futur zgjedhjet në Tiranë në një ngërç kushtetues: “Asnjë surprizë nga Bajram Begaj!  Ashtu siç kishim paralajmëruar, Bajram Begaj nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama. Me shkeljen e rëndë që ka kryer sot ndaj Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka kryer një puç kushtetues sepse ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe themelet mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës”.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi Prokuroria e Posaçme deklaroi se kishte zbuluar një skemë korrupsioni ku bashkia e drejtuar prej tij dhe biznesmenë që fitonin tendera në bashki ushqenin me para një rrjet kompanish dhe organizatash jo-fitimprurëse të drejtuara nga bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa. Shkarkimi i Veliajt u inicua nga kryeministri Edi Rama që udhëzoi këshilltarët socialistë të bashkisë që të nisnin procedurën e largimit të tij nga detyra, që u finanalizua me vendimin e Këshillit të Ministrave.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos