Transporti publik i ikën bashkive, do administrohet nga shteti

Nga Marjo Brakaj
2 Tetor 2025, 19:23 | Ekonomi

Transporti publik nuk do të jetë më në varësi të bashkive. Nga shtatori i vitit 2026, autobusët bashkë me hapësirën ku do të parkohen dhe biletat të cilat pritet të jenë elektronike do të administrohen nga shteti.

Këshilli i Ministrave ka miratuar ngritjen e shoqërisë “MobAI” e cila do të jetë me kapital 100 për qind shtetëror, shkruan A2.

“Shoqëria “MobAl”, sh.a., ka si objekt të veprimtarisë operimin e shërbimit të transportit publik rrugor të udhëtarëve, përfshirë destinacionet turistike; operimin e shërbimeve të rregullta të specializuara të transportit të udhëtarëve përfshirë transportin e nxënësve dhe të punonjësve arsimorë; arkëtimin e tarifës së biletave në mënyrë fizike ose elektronike dhe krijimin ose sigurimin e sistemeve e të aplikacioneve elektronike për menaxhimin, informacionin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik rrugor të udhëtarëve.”

Shoqëria e re do të operojë si një strukturë publike, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila do të përfaqësojë shtetin si aksionar i vetëm. Kapitali fillestar prej 10 milionë lekësh do të transferohet nga buxheti i ministrisë, ndërsa “MobAl” më pas do të funksionojë me vetëfinancim.

“Burimi i të ardhurave të shoqërisë “MobAl” janë të ardhura nga arkëtimi i tarifës së biletës; të ardhura nga tarifa vjetore, që përftohet nga subjektet që kryejnë shërbimin e operimit të shërbimeve të transportit publik rrugor;  të ardhura të tjera të ligjshme, të cilat vijnë nga kryerja e veprimtarive sipas pikës 7, të këtij vendimi dhe grantet, huatë, subvencionet.”

Sipas vendimit shoqëria “MobAl”, sh.a., mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos