“Firmat piramidale” online, pas denoncimit të Braçes reagon AKSK: Mos investoni!

Nga Marjo Brakaj
28 Gusht 2025, 15:26 | Ekonomi

Pas shqetësimit të ngritur nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe për mashtrimin e qytetarëve shqiptarë nga skema piramidale në internet ka reaguar edhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Kjo platformë, e prezantuar si aplikacion për investime në kriptovaluta, nuk është e regjistruar dhe nuk është e licencuar në Republikën e Shqipërisë dhe si e tillë operon jashtë çdo kuadri ligjor kombëtar. Nga vëzhgimet tona dhe nga denoncimet e shumta të bëra publike, konstatohet se aktiviteti i saj mbart tiparet e qarta të një skeme mashtruese digjitale.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike

Qindra qytetarë shqiptarë po bien pre skemave të reja piramidale, ku u propozohet të blejnë kriptomonedha që nuk ekziston ose u kërkohet që të investojnë para me pretendimin se brenda 45 ditësh ato do të marrin 2-fishin e parave të hedhura. Dhe TXEX nuk është platforma e vetme që po zhvat shqiptarët.

Përveç TXEX janë dhe 2 platforma të tjera të ngjashme XUEXA dhe Grokrexduu. AKSK ka marrë masa urgjente për bllokimin e aktivitetit të këtyre faqeve mashtruese në territorin e Republikës së Shqipërisë, duke bashkëpunuar ngushtësisht me institucionet përgjegjëse AKEP, Policinë e Shtetit dhe ofruesit e shërbimeve të internetit.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike

Joshja për të fituar sa më shumë e më shpejt është “mikrob” që me sa duket, gjendet në mendjen e çdo njeriu dhe mekanizmave të funksionimit të çdo shoqërie. Por Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike tregon se çfarë ndodh me ata që investojnë.

Humbje financiare të parikuperueshme, rrezik të lartë për cenimin e privatësisë dhe identitetit digjital, mundësi për keqpërdorim të mëtejshëm të të dhënave personale nga rrjete kriminale.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike

Ndërkohë Policia e Shtetit ka nisur zyrtarisht një hetim në lidhje me skemat mashtruese online, të cilat dyshohet se i kanë zhvatur qytetarëve shqiptarë rreth 5 milionë euro, përmes premtimit për fitime të majme duke investuar në blerje kriptovalutash. Në qershor ishte Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare paralajmëroi qytetarët shqiptarë se një platformë e dyshimtë investimesh, e quajtur “NetherexPro”, po promovohej në rrjetet sociale dhe mund të rrezikojë të ardhurat e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos