“Zbulimi” i Bankës së Shqipërisë: Euro bie, çmimet e produkteve vetëm rritet

Nga Marjo Brakaj
30 Korrik 2026, 15:35 | Ekonomi

Rënia e euros duhej të shoqërohej me çmime më të lira të mallrave të importit, por në tregjet në Shqipëri ndodh e kundërta. Në këtë përfundim ka rritur Banka e Shqipërisë në një analizë të kryer mbi zhvlerësimin e valutave dhe efektet në çmimet e produkteve

Vlerësimet tona tregojnë se luhatjet e kursit të këmbimit ndikojnë në normën e inflacionit, por madhësia e transmetimit është e pabarabartë. Nënçmimi i kursit të këmbimit ushtron presione inflacioniste të ndjeshme, ndërsa mbiçmimi i kursit të këmbimit ka ndikim të papërfillshëm në inflacion.

Banka e Shqipërisë

Në korrik të vitit 2022 një euro kushtonte 122.37 lekë. Sot është e zhvlerësuar me 26.81 lekë. Por edhe pse rënia është e fortë, çmimet e mallrave të importuara nuk janë ulur me 20 për qind..

“Ne nuk kemi parë ndonjë ndryshim në çmimet e ushqimeve. Përkundrazi, shumë produkte janë po aq të shtrenjta sa më parë. Nuk e kuptojmë pse nuk reflektohet rënia e euros në çmimet që paguajmë çdo ditë”, thotë një qytetare për mikrofonin e A2 CNN. “Për familjet është bërë gjithnjë e më e vështirë të përballojnë shpenzimet. Nëse importuesit i blejnë produktet me kosto më të ulët, është normale që edhe konsumatori të përfitojë nga ulja e çmimeve. Deri tani, ne nuk e kemi ndjerë një ndryshim të tillë dhe vazhdojmë të paguajmë pothuajse njësoj për shportën”, thotë një tjetër.

Nëse në vitin 2022, për të blerë produkte me vlerë 100 mijë euro duheshin 11.7 milionë ndërsa sot vetëm 9.3 milionë lekë. Pra tregtari ka 2.4 milionë lekë apo 20.5 për qind më pak kosto, por gjithsesi produktet shiten shtrenjtë.

“Prej më shumë se dy vitesh konsumatorët nuk kanë përfituar nga forcimi i lekut. Në teori, kur bie kostoja e importit, duhet të ulen edhe çmimet në raftet e marketeve, por kjo nuk ka ndodhur. Kjo tregon se tregu nuk po funksionon siç duhet dhe institucionet përgjegjëse duhet të hetojnë nëse kemi të bëjmë me abuzim të marzheve të fitimit apo me mungesë konkurrence. Në fund, është konsumatori ai që po paguan më shumë, ndërsa bizneset po përfitojnë nga diferenca e kursit të këmbimit”, thotë Hasan Stafa, Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Kursi i këmbimit është kthyer edhe në një çështje të debatueshme në vend pasi ndryshe nga sa gjykon opozita dhe një pjesë e ekspertëve që zhvlerësimi i euros ka ndodhur prej informalitetit, qeveria e konsideron si ‘sukses ekonomik’ pasi e lidh me flukset valutore që vijnë nga turistët, investimet e huaja apo remitancat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos